Meditime – 15 Maj

Lexoni nga Eksodi 20:18-21

Fjalë vdekjeje dhe fjalë jete

Por të mos na flasë Perëndia që të mos vdesim. (v. 19)

Me shkrimin tonë të sotëm, vijmë në fund të historisë së Dhjetë Urdhërimeve. Zoti sapo ka folur dhjetë “fjalë” që skicojnë se si duhet të duket jeta me Perëndinë, një jetë plot dashuri, paqe dhe plotësi. Më herët, përpara se izraelitët ta kuptonin se ç’valleje po i futeshin, ata thanë në mënyrë të nxituar: “Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë ZOTI” (Eks. 19:8). Ndërsa tani, pasi i dëgjuan mirë urdhërimet e Zotit, tërhiqen, duke u dridhur nga frika. Fjalët që duhet të ishin fjalë jete janë kthyer për ta në fjalë vdekjeje.

Është e njëjta gjë edhe për ne. Kur i krahasojmë qëllimet e bukura të urdhërimeve të Perëndisë me jetët tona reale, nuk i përmbushim kushtet e pamjes që Perëndia ka për jetën njerëzore. Kontrasti midis nesh dhe ligjit të Perëndisë është i mprehtë dhe i gjallë. Por fatmirësisht, ekziston edhe një lajm i mirë. Edhe ndërsa populli largohet i frikësuar nga Perëndia, Moisiu i afrohet “errësirës së dendur, ku ndodhej Perëndia” (Eks. 20:21). Moisiu këtu duket shumë i ngjashëm me Jezusin, duke qëndruar si një ndërmjetës midis popullit dhe Perëndisë. Dhe Jezusi, që është Moisiu ynë i ri dhe më i mirë, e çon këtë edhe më tutje. Ai hyn në errësirën e dendur të kryqit, dhe aty ai përmbush plotësisht ligjin. Ai na çliron nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes dhe na fton ta ndjekim. Mos kini frikë nga ligji i Perëndisë. Përmes Jezu Krishtit, ligji është kthyer në fjalë të bukura jete.—Steven Rodriguez

Lutje: “Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time” (Psa. 119:35).


Komente

komente