Meditime – 15 Prill

Lexoni nga Luka 23:39-43

Vdekja në një të premte pasdite

Në të vërtetë po të them: sot do të jesh me mua në parajsë. (v. 43)

“Jezus, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde” (v. 42). Ky është i vetmi rast në secilin prej Ungjijve që dikush i drejtohet Jezusit vetëm me emër. Në të gjitha rastet e tjera janë përdorur “Jezus, Biri i Perëndisë” ose “Jezus, Biri i Davidit” ose “Jezus, Biri i Shumë të Lartit Perëndi” ose diçka e ngjashme. Personi i parë që krijoi këtë afrimitet me Jezusin është personi i fundit që i foli, dhe, përveç të tjerave, është edhe një kriminel. Sa e çuditshme kjo shoqëri që ndodhet kaq afër me hyjnoren.
Jezusi iu përgjigj. “Sot do të jesh me mua në parajsë”. Sot. Jo, një ditë. As, kur të piqet koha. Por sot! Ky po që është premtim. Dhe mbi të gjitha, i pari që ia arriti të shkojë në “shtëpi” është një hajdut.

Ajo që është e jashtëzakonshme për hajdutin e penduar është që edhe ndërsa ishte duke vdekur, i varur në kryq, ai mendoi se Jezusi kishte një të ardhme. Hajduti donte që edhe e ardhmja e tij të ishte kudo ku do të ishte e ardhmja e Jezusit, dhe ai pati guximin t’ia kërkonte këtë: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde”. Atë që hajduti kishte guximin ta kërkonte, Jezusi kishte pushtetin t’ia jepte: “Sot do të jesh me mua në parajsë”.

Hajduti i penduar është shenjtori mbrojtës i të gjithë atyre që pyesin veten nëse gjërat kanë shkuar aq larg saqë Perëndia nuk mund të ndërhyjë. Gjërat nuk mund të shkojnë kurrë shumë larg! Nëse një i dënuar që po jep shpirt mund ta përfytyrojë një të ardhme të shpenguar, pse jo edhe ne? —Lou Lotz

Lutje: O Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde.

Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *