Meditime – 15 Qershor

Lexoni nga Mateu 11:25-28

Zemërbutë, jo të dobët

Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën. (Mt. 5:5)

Një miku im zbuloi se një nga punonjësit e tij e kishte mashtruar. Nëse do ta padiste, me shumë mundësi ai do të përfundonte në burg. Ai mendoi të merrte hapa ligjore, por kur mendoi pak për pasojat e të ardhmes së këtij punonjësi, plus poshtërimin që do i sillte familjes së tij, vendosi që t’i ofronte atij më mirë një plan për shlyerjen e borxhit. Punonjësi ra dakord me këtë plan por asnjëherë nuk i ktheu të gjitha ato që kishte vjedhur. Shumë vetë do ta konsideronin mikun tim të pamend, por në fakt ai po tregonte zemërbutësi. Ai kishte mbështetje ligjore, por ai e përmbajti veten nga e drejta për të vepruar.
Zemërbutësia nuk është dobësi. Zemërbutët janë aq të fortë nga brenda saqë mund të jenë të vetëpërmbajtur nga jashtë. Moisiu duroi shumë qortime, e megjithatë ai ishte “shumë zemërbutë, më tepër se kushdo mbi faqen e dheut” (Num. 12:3). Davidi tregoi zemërbutësi kur ai ndaloi ushtarët e tij që të vrisnin mbretin Saul, i cili flinte në këmbët e tij (1 Sam. 26:23). Jezusi e përshkroi veten e tij si “zemërbutë dhe i përulur nga zemra” (Mt. 11:29). Por, Jezusi, “Luani i cili është prej fisit të Judës” vetëm i dobët që nuk është (Zbu. 5:5).

Nuk u bindët? Pyesni pushtuesin e famshëm francez Napolonin. “Kështu po ju them. Aleksandri, Cezari, Karli i Madh dhe unë kemi themeluar perandori të mëdha. Por perandoritë tona u themeluan me forcë. Vetëm Jezusi e themeloi perandorinë e tij me dashuri, dhe akoma edhe sot, me miliona vetë do të vdisnin për të” (cituar në librin e James Cardinal Gibbons, Our Christian Heritage [Trashëgimia jonë e krishterë], f. 238). Të qenit zemërbutë nuk do të thotë të jesh i dobët.—Chic Broersma

Lutje: O Zot, me anë të Frymës sate, zhvillo në mua pikën e fortë të zemërbutësisë, pra, përulësinë dhe vetëkontrollin.


Komente

komente