Meditime – 15 Shkurt

Lexoni nga Mateu 6:1-8

Dhomëza e lutjes

Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas. (v. 6)

Unë punoj si ndihmës mësues në një shkollë. Personi që kujdeset për mirëmbajtjen e shkollës më ka treguar për një operacion të ardhshëm në gju. Unë doja të lutesha për të, por nuk gjenim një vend të qetë. “Eja, të shkojmë këtu”, tha ai, ndërsa futi çelësin për të hapur një nga dhomëzat e tij të veglave. Ndërsa e mbante derën hapur për mua, shtoi: “Askush nuk do të na shqetësojë këtu. Sapo të futemi brenda, dera kyçet”. Pikërisht aty, mes shtupave dhe koshave, morëm disa minuta nga dita e ngarkuar shkollore për t’u lutur së bashku. Ishim fiks në një dhomëz të vërtetë lutjeje!

Askush prej nesh nuk e kuptoi në ato çaste, por ne ishim duke vënë në zbatim atë që Jezusi na kishte kërkuar, pra, që të luteshim në fshehtësi. Zoti nuk i shkurajon lutjet në publik. Bibla na tregon disa raste kur njerëzit u lutën së bashku. Por, në të njëjtën kohë, Jezusi nuk dëshiron që jeta jonë e lutjes të kthehet në një shfaqje, siç bënin shumë vetë në kohën e Jezusit. Asnjëherë qëllimi i lutjes nuk duhet të jetë për t’u lënë përshtypje të tjerëve; por të jetë për të komunikuar me Perëndinë, të cilit i pëlqen shumë të dëgjojë nga fëmijët e tij.

Sot, sa herë që kaloj pranë asaj dhomëze të kujdestarit, më vjen ndërmend ajo kohë lutjeje e veçantë. Por më e rëndësishmja, sa herë që shoh mikun tim që ecën pa ndier dhimbje, lavdëroj Perëndinë që iu përgjigjet lutjeve që bëhen në fshehtësi.—Steve Laman

Lutje: Faleminderit o Zot, që i dëgjon nevojat tona teksa lutemi kurdoherë dhe kudo ndodhemi.

Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *