Meditime – 16 Maj

Lexoni nga Romakëve 1:1-17

Ungjilli është lajmi i mirë

Sepse, unë nuk kam turp për ungjillin e Krishtit, sepse ai është fuqia e Perëndisë për shpëtimin e cilitdo që beson. (v. 16)

Kur mora përsipër të mësoja patinat me rrota lineare, pyeta disa njerëz të cilët e kishin qejf këtë aktivitet. Me ndihmën e tyre dhe me pak hulumtim, bleva patina shumë cilësore dhe gjithashtu pajisje për mbrojtje. Më pas, pashë disa video për të mësuar bazat. Përpara se të marrim përsipër diçka të re, qoftë patinat, hedhjen me parashutë, hyrjen në besëlidhjen e martesës apo t’i përgjigjemi lajmit të mirë të ungjillit, është e rëndësishme që të mësojmë bazat.

Ungjilli, i cili është lajmi i mirë i veprës së Perëndisë për të shpëtuar mëkatarët e penduar nga mëkati, është mesazhi thelbësor i Biblës. Ai na tregon se Jezusi është rruga, e vërteta dhe jeta, pra, shpresa jonë e vetme e shpëtimit. Përgjatë këtyre dy javëve në vijim do të fokusohemi tek lajmi i mirë i ungjillit ashtu siç e mësojmë tek libri i Romakëve, të cilin disa e kanë quajtur “Rruga e romakëve”.

Në bërthamën e ungjillit është dashuria dhe falja. Perëndia është një Perëndi i hirit. Të krijuar sipas imazhit të tij, ne duhet të jemi mbartësit e hirit. Por që kjo të ndodh, duhet të jemi të falur, të shpenguar dhe të fuqizuar nga Fryma e Shenjtë për të jetuar dhe për të dashur ashtu si Jezusi. Ne nuk duhet të kemi turp nga ungjilli! Qoftë nëse po njiheni me ungjillin për herën e parë apo e dëgjoni atë përsëri, lutem që bazat e besimit në Jezu Krishtin t’ju përgatisin dhe t’ju inkurajojnë për ta jetuar besimin tuaj në praktikë dhe për ta ndarë atë me të tjerët.—Steve Petroelje

Lutje: O Perëndi i hirit, të lavdëroj për shpëtimin që na ofron dhe për lajmin e mirë të ungjillit! Amen.


Komente

komente