Meditime – 17 Korrik

Lexoni nga Hebrenjve 2:10-18

Duke u bërë si ne

Sepse, në atë, që vuajti vetë kur u tundua, mund t’u ndihmojë atyre, që tundohen. (v. 18) 

Unë fillova të bëj ski që kur isha tre vjeç. Skiimi gjendet në ADN-në e familjes sime. Kështu që natyrshëm, kur e takova bashkëshortin tim për herë të parë, u përpoqa t’i mësoja atij se si të bënte ski! Ai duhej ta dinte nëse kjo marrëdhënie do të funksiononte. Problemi ishte se unë nuk e kisha fare idenë se çfarë do të thoshte të mos dije të bëje ski. Unë nuk e identifikoja dot veten me përvojën e tij dhe prandaj as nuk dija se si ta ndihmoja. Dhe, me shumë mundësi, nuk isha aq e duruar sa duhet të isha. Të mësosh të ndjekësh Jezusin është diçka që vazhdon gjithë jetën tonë. Për fat të mirë, nuk kemi një Perëndi, i cili ulet diku larg, duke na gjykuar pa na kuptuar. Perëndia erdhi dhe jetoi ndër ne në personin e Jezu Krishtit, duke u bërë pjesë e gjithçkaje që ne përjetojmë. Perëndia ynë bëri të njëjtin rrugëtim që po bëjmë edhe ne dhe përjetoi të njëjtat tundime që ne përballojmë.

Ai nuk e bëri këtë vetëm për të na treguar se si kjo, në personin e Jezu Krishtit, mund të bëhet në mënyrë të përsosur. Por ai erdhi në tokë për të kuptuar se si duket për ne. Tek Jezusi ne e dimë se Perëndia që na thërret të jetojmë jetë të shenjta e të paqortueshme i kupton sfidat tona dhe ecën përkrah nesh nëpër gjithçka.  Që të jetojmë dhe të duam si Jezusi na nevojitet praktikë. Ndonjëherë e përfytyroj Perëndinë që është i zhgënjyer me progresin tim të ngadaltë. Por Hebrenjve 2 më kujton se Perëndia më kupton.—Jen Petersen

Lutje: Faleminderit o Jezus që i kupton sfidat tona dhe që ecën bashkë me ne.


Komente

komente