Meditime – 17 Prill

Lexoni nga Luka 24:13-35

Rrugës për në Emaus

Dy nga ata po shkonin në një fshat, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jerusalemit. (v. 13)

Kleopa dhe miku i tij (apo gruaja e tij?) u kthyen me fytyrë nga njëri-tjetri dhe bërtitën “Nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?”. Por kur kthehemi përsëri përgjatë rrugës, për aq sa dimë ne si lexues, dhe mendoj edhe për aq sa ishin të vetëdijshëm dy dishepujt, zemrat e tyre ishin të ftohta. Askund nuk kemi ndonjë të dhënë që thotë se zemrat e tyre po digjeshin, ndërkohë që po ecnin së bashku me një të panjohur misterioz. Vetëm më vonë, kur iu kthyen edhe një herë historisë, kuptuan se zemrat e tyre po digjeshin.

A mos po e kujtonin gabim dy dishepujt? Mos po e korrigjonin të kaluarën? Duhet thënë se ndonjëherë ne e shohim të djeshmen përmes syzeve me xhama rozë. Por unë kam zbuluar se vetëm kur kthejmë kokën pas, kuptojmë dhe shohim se si Perëndia ka qenë duke punuar në jetën tonë. Kurrë nuk e kuptojmë këtë në atë moment që ndodh. A mendoni se kur bijtë e Izraelit po endeshin nëpër shkretëtirë po i thoshin njëri-tjetrit: “A nuk është e mahnitshme se si po na drejton Perëndia përmes kësaj shkretëtire?”? Unë nuk mendoj kështu. Vetëm shumë kohë më pas, kur e kthyen kokën mbrapa, ata vlerësuan mënyrën se si Perëndia po vepronte gjatë eksodit (daljes).

Pavarësisht se në çfarë shkretëtire jeni, Perëndia është aty me ju. Zoti vazhdon ende të ecë bashkë me popullin e tij përgjatë rrugës. Një ditë edhe ne do të themi: “Nuk na digjej zemra përbrenda?”. —Lou Lotz

Lutje: O Zot, më ndihmo të ndjej praninë tënde në jetën time.

Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *