Meditime – 2 Dhjetor

Lexoni nga Mateu 1:1-6

Familja

Jeseut i lindi Davidi, mbreti. (v. 6)

Kur isha i vogël dhe shkonim për vizitë tek miqtë e prindërve të mi, shumë shpesh shikoja në tavolinën e mesit një Bibël, që asokohe quhej “Bibla e familjes”. Në faqen e parë të kësaj Bible ishte një pemë e familjes me hapësirat boshe që familja ta plotësonte me emrat e gjyshërve, prindërve, xhaxhallarëve, dajave, hallave, tezeve, kushërinjve dhe të fëmijëve. Më kujtohet që atëherë pyesja veten se përse e bënin njerëzit këtë gjë me Biblën. Ç’lidhje ka familja e dikujt me Shkrimin?

Megjithatë, pasi reflektova, kam përshtypjen që të gjithë e kemi një ide se çfarë përfaqësonin Biblat e tilla. Historia e dashurisë që Perëndia ka pasur me racën njerëzore ka qenë gjithmonë një histori familjare. Ajo filloi me Abrahamin dhe vazhdoi edhe me pasardhësit e tij. Në fund të fundit, aty përfshihet edhe Davidi, mbreti më i madh i Izraelit. Nga gjaku i tij një ditë do të vinte as më pak e as më shumë sesa vetë Mesia. Për më tepër, Dhjata e Re na zbulon se edhe njerëz jashtë Izraelit do të shpëtoheshin për arsye të adoptimit në këtë familje të madhe. Familja e Abrahamit, familja e Davidit, familja e Jezusit, pra, kjo do të bëhej familja jonë.

Atëherë, ato Bibla të familjes, ishin një mënyrë për të gjetur vendin e filan familjeje apo fistek familjeje, pikërisht në atë prejardhje madhështore biblike të hirit. Për më tepër, duke pasur Jezusin si pikën kulmore të pemës së familjes te Mateu, e dimë që kemi të drejtë kur e shohim atë si vëllanë tonë të madh po ashtu edhe si Zotin dhe Mësuesin tonë. Kjo është një trashëgimi e hirit që ia vlen të festohet gjatë Adventit dhe në çdo kohë!—ScottHoezee

Lutje: O Perëndi, faleminderit që na ke adoptuar, duke na bërë pjesë të familjes. Amen.


Komente

komente