Meditime – 2 Janar

Lexoni nga Zanafilla 2:8-24
Shtëpia jonë e parë
Pastaj ZOTI Perëndi mbolli një kopsht. (v. 8)

Kur mendoj për shtëpinë më vijnë ndërmend kujtime dhe malli më kaplon. I shoh si tani pllakat e krisura të dyshemesë në kuzhinën e shtëpisë ku u rrita, tavolinën portative në cep të aneksit dhe karriget ku ulej secili nga fëmijët. Ende më vijnë ndër mend erërat dhe aromat që vinin nga kuzhina, kur nëna na gatuante trahana të dielave në mëngjes dhe bukën me vezë pasdite. Më kujtohet rruga poshtë pallatit dhe lulishtja e rregulluar me pemët dhe gëmushat e krasitura. Një detaj që do të doja të mos e kujtoja është i ftohti që na hynte në shtëpi në dimër nga vrimat dhe të çarat e dritareve dhe dyerve të vjetra. Po ju, çfarë mbani mend nga shtëpia juaj e parë?
Detajet që gjejmë te Zanafilla 2 flasin për kujdesin e madh dhe personal të Perëndisë për krijimin e Edenit. Perëndia përvesh mëngët dhe i futet punës: ai mbjell një kopsht, vendos aty Adamin dhe bën që të dalin pemë nga toka të cilat janë të bukura për sytë dhe të mira për stomakun. Përpara nuk kalon vetëm një lumë, por një lumë me katër degë; njëri prej tyre që quhet Havilahu nuk ka thjesht flori, por flori të mirë! Pastaj Perëndia merr një brinjë nga Adami kur ai ishte në gjumë dhe krijon një bashkëshorte për të. Adami dhe Eva u kujdesën në komunitetin e tyre për bimët, kafshët dhe lumenjtë. Kjo ka qenë shtëpia jonë e parë.
Dua t’ju pyes përsëri, cilat detaje ju kujtohen nga shtëpia juaj e parë? Si ngroheshit gjatë dimrit? Kë kishit afër kur uleshit në tavolinë? Le të falënderojmë Perëndinë për kujdesin e tij të përpiktë gjatë krijimit dhe për përfshirjen e tij personale në jetën tonë, për të na bërë secilin të ndihemi si të shtëpisë me të.—Jon Opgenorth

Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për mënyrën se si është kujdesur për ju.

Komente

komente