Meditime 2 Korrik

Lexoni nga Marku 6:30-34

Ritmi i jetës së krishterë

Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak. (v. 31)

Këto fjalë: “Ejani veçmas në një vend të vetmuar dhe pushoni pak” më janë ngulitur në kujtesë që prej fëmijërisë. Ato ishin të shkruara në një tabelë që mirëpriste njerëzit që vizitonin një kamp biblik që ndodhej disa dhjetëra kilometra larg qytetit. Ky kamp ofronte një “arratisje” fantastike gjatë verës nga zhurma dhe jeta e shpejtë e qytetit. Dhe ishte kthyer në një vend të mrekullueshëm pushimesh verore sepse përfshinte pushim, argëtim, si dhe rifreskim frymëror nga mësues të njohur të Biblës.
Jezusit do t’i kishte pëlqyer ky kamp, sepse do të kishte qenë pikërisht vendi që ai dëshironte për dishepujt e tij që të pushonin. Pasazhi i sotëm na thotë që kishte kaq shumë njerëz që vinin dhe iknin, saqë Jezusi dhe ndjekësit e tij nuk kishin mundësi as të hanin. Ishte e domosdoshme që ata të largoheshin nga turma dhe të shijonin pak qetësi. Para disa vitesh, lexova se gati 41% e punëtorëve amerikanë nuk merrnin pushime (leje të zakonshme) nga puna. Edhe pse kjo mund të duket shumë e admirueshme, mbetet i vërtetë fakti se mungesa e pushimit mund të çojë në më shumë stres dhe për rrjedhojë në shterim. Jezusi e dinte këtë, dhe prandaj i dërgoi dishepujt që të kalonin pak kohë veçmas. Studimet e bëra kanë konfirmuar atë që rekomandon Jezusi: punëtorët që marrin kohë pushimi kthehen më të rifreskuar, më energjikë dhe më të frytshëm në punën e tyre.

Ndonëse ata morën pushimin e dëshiruar, vëmë re se se Jezusi nuk mund t’i refuzonte njerëzit. Për shkak të dhembshurisë së tij të madhe, ai nuk na ka refuzuar as neve dhe nuk do të na refuzojë ndonjëherë.—John Koedyker

Lutje: Na ndihmo o Zot, ta lëmë mënjanë punën tonë herë pas here dhe të pushojmë në ty. Amen.

Komente

komente