Meditime – 2 Qershor

Lexoni nga Luka 18:9-14

Mëkati vdekjeprurës i krenarisë

Unë e urrej kryelartësinë dhe arrogancën. (FeU. 8:13)

Gjatë një diskutimi në grup, drejtuesi ngriti pyetjen: “Kë admironi më shumë në jetën tuaj?”. Përgjigjet ishin të ndryshme, që nga prindërit, mësuesit e deri tek trajnerët. Pastaj, një bashkëshort i pashëm, i cili ishte një biznesmen i suksesshëm, u çua dhe tha: “Nga të gjithë njerëzit që njoh, më së shumti unë admiroj veten time”. Në dhomë pati heshtje. Të gjithë mbetën pa fjalë. Por Perëndia nuk rri i heshtur: “Unë e urrej kryelartësinë dhe arrogancën”.

Ky burrë, të cilin po e quajmë Beni, kishte studiuar shumë, kishte marrë diploma, kishte fituar punë mbresëlënëse me rroga të mira dhe i shërbente kishës dhe komunitetit përmes fondacioneve të tij. Ai ishte shumë krenar për arritjet e tij. Një ditë i kujtova atij se në gjykimin e fundit, Perëndisë nuk do t’i bëjnë fare përshtypje arritjet tona në tokë. Doni të dini reagimin e zotërisë? Më dha një vështrim të zbrazët.

Perëndia miraton kur ne zbatojmë drejtësinë, kur duam mëshirën dhe kur ecim në përulësi me të (Mikea 6:8). Por krenaria është armiku i përulësisë. Në shëmbëlltyrën e fariseut me tagrambledhësin, Jezusi i krahason këta dy burra: i pari bëri shumë vepra të mira por ishte i mbushur me krenari, kurse i dyti e pranoi mëkatin e tij dhe u përgjërua për mëshirën e Perëndisë. Jezusi thotë se atë ditë mëkatari shkoi në shtëpi i shfajësuar dhe jo fariseu sepse “kushdo që lartësohet do të përulet, dhe kush përulet, do të lartësohet” (Luka 18:14).

Studimi, puna e shumtë dhe veprat e bamirësisë janë gjëra të mira. Por nëse qëllimi juaj është t’u lini mbresa të tjerëve, atëherë harrojeni të merrni bekimin e Perëndisë. Nëse kërkoni hirin e Perëndisë, kërkoni mënyrën për të qenë të përulur dhe pastaj lini atë të kujdeset për pjesën tjetër.—Chic Broersma

Lutje: O Zot, fale krenarinë time të marrë.

Komente

komente