Meditime – 2 Shkurt

Lexoni nga Gjoni 1:35-42
Ja ku vijnë dishepujt
Dhe të dy dishepujt e dëgjuan atë duke folur dhe ndoqën Jezusin. (v. 37)

Ata vinin era peshk. Nuk humbën pothuajse asnjë rast për ta keqkuptuar atë që thoshte Jezusi. Një prej tyre ishte hajdut, dhjetë të tjerët frikacakë. Ata nuk ishin të arsimuar, nuk zotëronin pasuri, status shoqëror apo mprehtësi tregtare; disa prej tyre ndoshta nuk dinin as shkrim as këndim. Nëse Aristoteli zgjodhi Sokratin si dishepullin e vet, dhe nëse Sokrati zgjodhi Platonin si dishepullin e vet, a nuk mund të kishte përzgjedhur Jezusi disa dishepuj më të spikatur? E megjithatë, këta janë ata burra, që, për Krishtin, “e kanë bërë rrëmujë botën” (Vep. 17:6).

Kur pastorët marrin pjesë në një konferencë për udhëheqësit e kishës, atyre shpesh u thuhet se përbërësi kyç për të pasur sukses në shërbesë është që të rrethohen nga drejtues të aftë dhe të vendosur. Jezusi, ama, dukej se bënte të kundërtën e kësaj. Në pothuajse çdo faqe të ungjijve, dishepujt janë duke thënë ose duke bërë diçka që tregon se nuk e kanë fare idenë se kush është Jezusi. Në të vërtetë, “ne e kemi këtë thesar në enë prej balte, që epërsia e pashoqe e kësaj fuqie të jetë e Perëndisë dhe jo prej nesh” (2 Kor. 4:7).

Kishave u pikon në zemër të jenë klube sociale për shtresën e lartë, ku çdo gjë është normale. Ne përpiqemi kaq shumë të jemi të respektueshëm. Por dishepullizimi i krishterë është trashëguar i rrëmujshëm. Ekziston një arsye e fortë se përse klisheja “kisha nuk është një muze për shenjtorët, por një spital për mëkatarët” ka vazhduar për kaq gjatë; sepse, është e vërtetë. Dhe lavdi Zotit për këtë. Kisha është streha e Perëndisë për dishepuj të zakonshëm, të papërsosur dhe të infektuar me mëkat, të cilët janë në proces e sipër për t’u transformuar. Duhet ta harrojmë mentalitetin e klubeve sociale. — Lou Lotz

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë për kishën.

Komente

komente