Meditime – 2 Shtator

Lexoni nga Zanafilla 21:8-21

Perëndia dëgjon dhe sheh

Mos ki frikë, se Perëndia ka dëgjuar zërin e djaloshit aty ku ndodhet. (v. 17)

Në një shkretëtirë të thatë e të pluhurosur, Agari dhe djali i saj i vogël janë dëbuar nga shtëpia e tyre, dhe kanë vetëm bukë dhe ujë me vete. Ata enden pa shpresë. Më në fund ajo dorëzohet, duke besuar se fëmija i saj do të vdesë me siguri. Si përgjigje ndaj qarjes së saj me dënesë, Perëndia i thotë të mos ketë frikë; ai e ka dëgjuar zërin e djalit të saj. Ai i hap sytë Agarit për të parë një pus shpëtimi me ujë. A kishte qenë pusi gjithmonë aty, por ajo thjesht nuk e kishte vërejtur? Apo Perëndia e siguroi në mënyrë të mrekullueshme për atë kohë, në atë vend? Sido që të ketë qenë, ne e dimë se Perëndia siguroi për Agarin dhe djalin e saj. Sa e vështirë duhet të ketë qenë për të teksa e shihte fëmijën e saj të vuante! Pavarësisht nga mosha, është e vështirë të shohësh fëmijët e tu që përjetojnë humbje apo dhimbje, qoftë kur vjen puna tek shëndeti, financat apo te partneri.

Prindërit janë plotësisht përgjegjës për fëmijët e tyre kur ata janë të vegjël. Por edhe ndërsa mundohemi të shkëputemi nga roli ynë si sigurues, edhe atëherë kur ata bëhen të pavarur, shqetësimet tona për mirëqenien e tyre na bëjnë që të na mbushen sytë me lot.Le t’i kërkojmë Perëndisë sot të na hapë sytë për të parë se si ai siguron përditë, sepse Perëndia vazhdon të dëgjojë dhe të shohë dhe të premtojë se do të sigurojë ujë të gjallë nga pusi i tij që kurrë nuk shteron. Vajtimet 2:19 thotë: “Derdheni si ujë zemrën tuaj përpara fytyrës së Zotit. Ngrini duart drejt tij për jetën e fëmijëve tuaj”. Historia e Agarit na siguron që Perëndia dëgjon dhe përgjigjet.—Denise Vredevoogd

Lutje: Perëndi i dashur, na ndihmo të besojmë se ti do të sigurosh për ne dhe për të dashurit tanë.

Komente

komente