Meditime – 3 Janar

Lexoni nga Gjoni 3:9-18

Që të gjithë

Që të gjithë që besojnë në të . . . (v. 15)

Megjithëse motrat e mia mund të mos jenë dakord, unë kam qenë një fëmijë i mbarë kur isha i vogël. Unë nuk pija duhan, as alkool, as shoqërohesha me fëmijë që i kishin këto vese. Shkoja në kishë dy herë të dielave, shpallja besimin tim dhe isha vullnetar në shkollën biblike të verës. Pra, isha një fëmijë i mbarë. Po sa i mbarë duhet të jesh për të qenë i mirë? Kjo lihet të kuptohet në pyetjen që bën Nikodemi: “Si mund të ndodhin këto gjëra?” (v. 9). A duhet që unë, një farise, t’ia nis nga e para? Po çfarë mund të bëjë ndryshe nga ato që kam bërë?

Por ky është pikërisht edhe thelbi i Jezusit: “Nuk ka asnjë të drejtë, as edhe një” (Rom. 3:10). Madje as ti, Nikodem. Madje as ti, pastor Xhoni. Por lavdi Perëndisë që ne nuk lindim përsëri në një realitet frymëror të ngjashëm me lojën “Mos u nxeh”, ku një gabim na dërgon përsëri nga fillimi për t’u përpjekur përsëri. Ne lindim përsëri në një lloj jete plotësisht të re, që është jeta e përjetshme. Jeta e përjetshme fillon kur ne shohim drejt Jezusit, jo kur mendojmë se jemi të mirë mjaftueshëm.

Jeta e përjetshme është e mundur për shkak se Jezusi u ngrit lart ashtu siç Moisiu ngriti lart gjarprin prej bronzi tek Numrat 21. Izraelitët po kafshoheshin nga gjarpërinj helmues dhe kishin nevojë për ndihmë. Perëndia siguroi një zgjidhje që kushdo që do t’i drejtonte sytë drejt gjarprit të ngritur do të shërohej. Farisenjtë, pastorët dhe të gjithë “njerëzit e mirë” janë të helmuar nga mëkati dhe të gjithë meritojnë vdekjen e përjetshme. Por hir do të thotë që Perëndia ka siguruar një rrugëzgjidhje. Jezusi është ngritur lart. Që të gjithë që i drejtojnë sytë nga ai do të shpëtohen. Po Nikodem, edhe ti duhet të lindësh përsëri. Dhe madje edhe ti mund të lindësh përsëri. Madje “që të gjithë” do të thotë edhe ti, edhe unë.—Jon Opgenorth

Lutje: Faleminderit o Atë, që ke ngritur Birin tënd për mua.

http://fjaleteshpreses.org/wp-content/uploads/2017/12/MEDITIME_03_JANAR_2018.mp3

Komente

komente