Meditime – 3 Korrik

Lexoni nga Marku 6:35-44

Asgjë nuk është e pamundur me Jezusin

Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën. (v. 42)

Siç e vumë re në meditimin e djeshëm, paqja dhe qetësia që Jezusi kishte synuar për veten dhe dishepujt e tij, nuk u realizua. Përkundrazi, u ndërpre nga një numër i madh njerëzish, të cilët zbuluan vendndodhjen e tyre dhe vrapuan deri atje për të qenë pranë tij. Dhe kështu, siç bënte gjithmonë, Jezusi i pranoi njerëzit dhe filloi t’u mësojë gjëra.

Problemi ishte që kishte shkuar vonë. Njerëzit po lodheshin, dhe i kishte marrë uria! Atëherë dishepujt shkuan te Jezusi dhe i thanë: “Sikur u bë vonë. Më mirë dërgoi këta njerëz nëpër shtëpitë e tyre që të hanë diçka”. Por Jezusi u thotë: “U jepni ju të hanë”. Pas kësaj, reagimi i dishepujve është: “A të shkojmë ne të blejmë për dyqind denarë bukë?” (që ishte sa rroga e tetë muajve punë). Pra, me fjalë të tjera: “Kjo është e pamundur!”.

A e shihni se si ndryshojnë reagimet ndaj këtij problemi? Dishepujt thonë: “Largoji njerëzit!”. Jezusi thotë: “Duhet të bëjmë diçka!”. Mësimi që dishepujt duhet të kuptojnë, por edhe ne gjithashtu, është që në duart e Jezusit, pak është shumë. Sigurisht, ata kishin vetëm dy peshq dhe pesë bukë, por Jezusi e ka një mënyrë, një mënyrë të mrekullueshme, për të bërë shumë me vetëm pak. Nëse e vendosim veten në duart e Jezusit, askush nuk mund ta dijë se ç’mund të bëjë Ai përmes nesh.—John Koedyker

Lutje lavdërimi: Por atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë, atij i qoftë lavdia në jetë të jetëve. Amen.

Komente

komente