Meditime – 3 Shkurt

Lexoni nga Gjoni 2:1-11
Mrekulli në mesin tonë
Jezusi u tha: “Mbushni enët me ujë!”. Dhe ata i mbushën deri sipër. (v. 7)

Një ndodhi të 25 viteve më parë, ende sot nuk di si ta shpjegoj. Një nga anëtarët e kishës më merr në telefon, gjithë ngazëllim: “Pastor, a vjen dot tani në spital se ka ndodhur diçka?”. Vizitat e orëve të vona te reparti onkologjik në spital nuk para përfundonin aq mirë, kështu unë u përgatita për më të keqen. Por këtë herë, befasisht, lajmi ishte pozitiv. Analizat tregonin se tumori ishte larguar. Doktorët ishin të shastisur dhe e quanin atë që kishte ndodhur “regres spontan”. Pacienti, një burrë i mrekullueshëm i krishterë, ishte i shtangur dhe plotësisht dyshues. Bashkëshortja e tij po qante me mirënjohje, dhe pëshpëriste nën zë: “Lavdi Perëndisë, lavdi Perëndisë”. Më vonë, teksa flisja me anëtarë të tjerë të familjes në dhomën e pritjes, hodha sytë përreth tek të tjerët që ishin në atë dhomë, të cilët ishin të pavëmendshëm për atë që kishte ndodhur, dhe mendova me vete: “Një mrekulli sapo ndodhi tek dhoma tjetër, dhe ju as që e dini”.

Gjoni thotë se shërbëtorët e dinin se uji ishte bërë verë, por i zoti i gostisë “nuk e dinte nga vinte kjo verë” (v. 9). Mendojeni pak, një mrekulli ndodh mu përpara syve të tij, dhe ai as që e di këtë gjë.

Pyes veten, sa mrekulli na kanë shpëtuar pa i ditur. Mrekulli të dashurisë dhe zemërgjerësisë; incidente të kujdesit, dhembshurisë dhe mirësisë që kundërshtojnë haptazi mirëkuptimin njerëzor; raste të mahnitshme të faljes; regres spontan të tumoreve të zemërimit dhe urrejtjes. O Zot, rrite ndjeshmërinë tonë ndaj mrekullive që ndodhin në mesin tonë. — Lou Lotz

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju ndihmojë të shihni veprat e tij në botë.

Komente

komente