Meditime – 3 Shtator

Lexoni nga Mateu 15:21-28

Të qenit njeri – nevoja

Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, ndihmomë!”. (v. 25)

Gruaja kanaanease kishte nevojë për ndihmën e Jezusit. Ishte çështje për jetë a vdekje. Ajo e dinte që kishte nevojë për ndihmë, dhe nuk kishte frikë të kërkonte dhe as të debatonte për ta marrë atë. Mua, nga ana tjetër, nuk më pëlqen të kërkoj ndihmë. Edhe kur dikush ma ofron ndihmën, tendenca ime është që fillimisht ta refuzoj me mirësjellje ofertën. E megjithatë, jetesa në komunitetin tim, më ka mësuar si të kërkoj dhe si të marr ndihmën për të cilën kam kaq shumë nevojë.

Një nga fqinjat e mia përdor një karrocë invalidësh. Kjo ia vështirëson transportin më shumë se të tjerët. Edhe pse të gjitha shtëpitë në lagjen tonë janë të ndërtuara me rampa për karrocat, shpesh ajo ka nevojë për ndihmë kur ngjitet apo zbret nga rampa apo kur hyn e del nga makina. Dhe padyshim që ka shumë nevojë për ndihmë kurdoherë që del jashtë lagjes sonë.

Për shoqen time, të kërkuarit ndihmë është pjesë e nevojshme e jetës. Për shkak se ndeshet me nevojën e saj përditë, ajo është më e sinqertë dhe më e hirshme se unë, kur vjen puna për të kërkuar ndihmë. Dhe për shkak se e kërkon ndihmën me sinqeritet, ajo është e vërtetë edhe me veten për faktin që i duhet të mbështetet tek të tjerët. Kjo gjithashtu e lejon atë të ndajë më me gatishmëri dhuntitë dhe aftësitë e saj me të tjerët, për shkak se ajo e kupton që kjo ndërvarësi është pjesë e të qenit njeri. Unë kam mësuar kaq shumë prej saj, se si të jem e sinqertë me nevojat e mia dhe se si ta ofroj veten time kur të tjerët kanë nevoja. Shoqja ime më ka mësuar të jem edhe më shumë njerëzore.—Amy Curran

Lutje: O Zot, ndihmomë.

Komente

komente