Meditime – 3 Tetor

Lexoni nga Zanafilla 4:1-16

Çfarë ke bërë?

ZOTI i tha: “Çfarë ke bërë?” (v. 10)

Si fëmijë, kisha thurur një plan të zgjuar për të vjedhur para. Unë isha anëtar i komitetit të librit të nxënësve që dilte në fund të vitit shkollor, dhe sa herë që dorëzoja arkën e thesarit që mbante brenda shitjet e asaj dite, e fusja dorën brenda dhe kapja disa kartëmonedha. Si fillim, euforia e skemës sime të suksesshme e mbyti zërin e ndërgjegjes sime. Megjithatë, me kalimin e kohës, fillova të kisha një ndjenjë frike për gjërat që kisha bërë dhe shkova tek drejtori dhe, me lot në sy, u rrëfeva (dhe ktheva edhe paratë).

Kaini na prezantohet si një “punues i tokës”, i cili i paraqiti Perëndisë një ofrim, por Perëndia e refuzoi. Edhe pse Zoti i detajon kushtet për një ofrim të suksesshëm, Kaini në zemërim e sipër godet Abelin, vëllanë e tij dhe e vret. Me shumë mundësi, në fillim Kaini nuk ka ndjerë keqardhje për vrasjen e vëllait më të vogël. Por Perëndia vjen te Kaini dhe e ballafaqon atë me realitetin e veprimit të tij, duke e pyetur: “Çfarë ke bërë?”.

Do të ishte mirë që edhe ne të hidhnim një sy rreth e rrotull botës që kemi ndërtuar dhe t’i bëjmë vetes të njëjtën pyetje: “Çfarë kemi bërë?”. Përditë ndeshemi me raporte që flasin për varfërinë globale, luftën e përhapur gjithandej, paragjykimet gjinore në vendin e punës dhe racizmin institucional. Është kaq kollaj të bëhemi të pandjeshëm ndaj vështirësive me të cilat jetojnë përditë miliona njerëz në mbarë botën. Ndoshta tani është koha që ta vlerësojmë siç duhet botën që na është dhënë në administrim dhe ta përkushtojmë veten për të krijuar një të ardhme më të mirë.—DuaneLoynes

Lutje: O Perëndi, u bëfshim agjentët e paqes tënde. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

Komente

komente