Meditime – 4 Dhjetor

Lexoni nga Mateu 1:2-11

Të fshehta

. . . mbretit David i lindi Salomoni nga ajo që kishte qenë bashkëshortja e Urias. (v. 6)

Këtë e shohim ndonjëherë nëpër filma. Gjatë rrjedhës së filmit, një nga personazhet mëson se ka një xhaxha, për të cilin nuk kishte dëgjuar asnjëherë. Dhe ai e pyet të atin: “Përse nuk ma ke përmendur asnjëherë xhaxha Gonin?”. I ati i përgjigjet vrazhdë: “Sepse nuk flasim për të”. Pastaj mësojmë se ky xhaxha Goni ka qenë një njeri i lig, i burgosur për vrasje shumë kohë më parë dhe mbahej sekret nga të tjerët, si delja e zezë e familjes. Kështu që, këta lloj të afërmish, nuk zihen në gojë.

Edhe familja izraelite, nga e cila kishte prejardhjen Jezusi, kishte mjaft sekrete për të afërmit e saj. Do të kishte qenë më e lehtë po të mbaheshin të fshehta, por Mateu bën të kundërtën. Ai e dinte se Tamara kishte joshur Judën, vjehrrin e saj. Ai e di se Rahabi kishte qenë një prostitutë në Jeriko. Ai e di se mbreti i madh David kishte pasur një marrëdhënie jashtë martesore me Bathshebën dhe ishte përpjekur ta mbulonte atë duke organizuar vdekjen e Urias, bashkëshortit të saj. Në vend që t’i fshihte të gjitha këto, Mateu i nxjerr ato në shesh përpara se të shkojmë te historia e lindjes së Jezusit.

Pse? Si një kujtesë të arsyes se përse erdhi Jezusi në këtë botë. Çdo familje e ka një “të shkuar”. Lindja e Mesias, të cilën mezi e presim këtë muaj, është përgjigja e Perëndisë për gjithçka tonën, të cilat ndoshta do të ishim shumë të turpëruar t’i zinim në gojë. — Scott Hoezee

Lutje: O Perëndi, ti i sheh gabimet tona të fshehura, dhe sheh historinë tonë të mbuluar me turp. E megjithatë, na do. Faleminderit! Amen.

Komente

komente