Meditime – 4 Gusht

Lexoni nga Luka 13:10-17

Liri

O grua, ti je e liruar . . . (v. 12)

“Braveheart” është një nga filmat e mi të preferuar. Në ndjekje të lirisë për Skocinë, Sër Uilliam Uollas, me bashkatdhetarët e tij të leckosur luftojnë kundër monarkisë angleze, të cilët ngulin këmbë se Skocia e ka vendin nën sundimin anglez. Në skenën e fundit, Uollas, i cili është i lidhur mbi një tavolinë në formë kryqi, e refuzon mëshirën dhe pranon koston e lirisë, pra, vdekjen. Pak para se të ngrihej sëpata e xhelatit, Uollas bërtet me gjithë fuqinë: “Liri!” Thirrja e tij i bën jehonë misionit të Krishtit: “Në lirinë, me të cilën Krishti na liroi” (Gal. 5:1). Kur Jezusi na sheh të lidhur, ai ofron të na çlirojë.

Te Luka 13, nuk e dimë me siguri se cili është problemi shëndetësor i kësaj gruaje, por e dimë që ka një lidhje frymërore, që përshkruhet si “frymë lëngate”. Dje lexuam nga Marku 5 rreth një gruaje, gjendja fizike e së cilës ndikonte në gjendjen e saj frymërore. Ndoshta gruaja nga pasazhi i sotëm është e rënduar fizikisht nga një gjendje frymërore. Është e sigurt, se gjendja e saj nuk e lejon atë të jetojë plotësisht dhe në liri. Është e dukshme se ajo pasqyron gjendjen njerëzore, të kërrusur nga pesha e mallkimit të Edenit, që manifestohet si fizikisht, emocionalisht dhe në frymë. Jezusi e çliron atë me dhembshuri. Ashtu si kjo grua, edhe ne, mbetemi të lidhur dhe vazhdimisht të kërrusur, derisa Jezusi të ndërhyjë.

Çfarë ju mban të lidhur dhe të kërrusur? Jezusi po na thërret të dalim dhe të ngrihemi. Le të rendim drejt tij, drejt e në krahët e atij që është i aftë të na drejtojë. “Ai më dërgoi . . . për të dërguar në liri të shtypurit” (Luka 4:18).—Michelle Christy

Lutje: O Jezus, ti erdhe nga qielli për të kërrusurit. Na çliro që të shpallim emrin tënd.


Komente

komente