Meditime – 4 Janar

Lexoni nga Zanafilla 12:1-9

Largimi nga shtëpia

Atëherë Abrami u nis, siç i kishte thënë ZOTI. (v. 4)

Për të shkuar nga Uri për në Kanaan, mes për mes shkretëtirës, e cila është një distancë prej rreth një mijë kilometrash, duhet një ditë me makinë ose disa orë me avion. Por, në kohën e Abramit, kjo nënkuptonte 2250 km ecje drejt verilindjes përgjatë lumenjve dhe luginave të Gjysmëhënës Pjellore për në Haran, dhe më pas drejt jugut për në tokën e premtuar. Pavarësisht rreziqeve dhe të papriturave të udhëtimit në kohët e lashta, Abrami i besoi Perëndisë dhe la pas gjithçka që ishte e njohur për të dhe u nis drejt të panjohurës (Heb. 11:8). Mëkati e detyroi Adamin dhe Evën të largohen nga shtëpia jonë e parë. Udhëtimi i Abramit shënon rrugëtimin drejt shtëpisë sonë të përjetshme, të fituar përmes sakrificës së Jezusit. Në moshën 75 vjeçare dhe pa fëmijë, Abrami beson te premtimi i Perëndisë se prej tij do të dalë një komb i madh me shumë pasardhës dhe ai do të jetë një bekim për “tërë familjet e tokës” (Zan. 12:1-3).
Njerëzit do të kenë menduar se ishte i krisur! Kur Xhon Paton, 33 vjeç u nis nga Skocia për të shkuar në ishujt Nju Hibride, në vitin 1858, një anëtar i kishës së tij e thumboi, duke thënë: “Do të të hanë kanibalët!”. Në fakt, këtë fat patën misionarët para tij! Por Xhoni shkoi gjithsesi, duke besuar se Perëndia donte që ata njerëz të pranonin Jezusin. Atë nuk e hëngrën kanibalët, por gjithsesi, përjetoi dhimbjen e vdekjes së bashkëshortes dhe fëmijës së tij. Deri në fund të shërbesës së tij, mbi tre mijë vetë në ishullin ku ai rrinte u bënë ndjekës të Jezusit. Sot, 80 përqind e banorëve të ishullit janë të krishterë për shkak se një njeri u largua nga shtëpia e tij në mënyrë që të tjerët të gjenin shtëpinë e tyre të vërtetë.
Ku po ju fton Perëndia të shkoni? Të gjithë ne jemi ftuar për të ecur bashkë me Abramin drejt vendeve dhe popujve që Perëndia dëshiron të sjellim në shtëpi.—Jon Opgenorth

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë kurajë për të ecur aty ku ai drejton.

Komente

komente