Meditime – 4 Korrik

Lexoni nga Eksodi 2:10

Në shtëpinë e Faraonit

Ai u bë bir i saj. (v. 10) 

Përvojat tona i japin formë jetëve tona në mënyra që shumë herë janë të panjohura për ne. Për Perëndinë, i cili “më [ka] endur në barkun e nënës sime”, kjo është e njohur (Psa. 139:13). Për shembull, prindërit e mi më kanë paguar që të mësoja Shkrimin përmendësh. Me 10 lek vargun, mësova që me pasazhet më të gjatë fitoja para më shpejt! Punën e të mësuarit përmendësh e shihja si një mjet për të blerë lodrën e ardhshme që doja. Shumë vite më vonë, u bëra një predikues. Kjo praktikë e mësimit të Fjalës së Perëndisë përmendësh u bë një zakon jetëgjatë që më ka lejuar t’i hapë rrugën Shkrimit dhe ta lë atë t’i flasë shpirtit të dëgjuesit.  Është goxha e rëndësishme që e bija e faraonit e bëri Moisiun birin e saj. Ai mësoi gjuhën, sjelljet dhe realisht, të gjithë kulturën e mbretit egjiptian. Për dyzet vjet, ai jetoi në botën e faraonit.

Perëndia po e përgatiste Moisiun për një detyrë të cilën ai nuk mund ta imagjinonte, por ishte një detyrë për të cilën ai ishte i kualifikuar në mënyrë unike. E shohim të njëjtin model teksa përsëritet në Dhjatën e Re kur Fryma e Shenjtë ballafaqon apostullin Pal, tek Veprat 9, me një vegim mahnitës dhe me një urdhërim për të shpallur emrin e Jezusit. Cila ishte e kaluara e tij? Një studiues i trajnuar për ta njohur në majë të gishtave Biblën hebraike. Kush tjetër më mirë se studenti më i mirë i shkollës së farisenjve, mund të shpallte se i gjithë Shkrimi na çon tek Jezusi.  Ashtu si Perëndia përdor njerëz për të formuar jetët tona, po ashtu Ai planifikon përvojat për të na përgatitur për të ardhmen e tij, edhe nëse ne nuk e shohim dot tani. Cilat përvoja të së kaluarës po përdor Perëndia tani për të formuar jetën tuaj?—Jon Opgenorth

Lutje: O Perëndi, më ndihmo ta shoh të kaluarën time si një dhuratë prej teje për të ardhmen time. 

Komente

komente