Meditime – 4 Prill

Lexoni nga Luka 11:5-12

Mos e lini Perëndinë të pushojë

Dhe unë po ju them: Lypni dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni dhe do t’ju hapet. (v. 9)

“Mik, më jep hua tri bukë . . .”. Nga brenda shtëpisë dëgjohet një zë i acaruar që bërtet: “Ik andej!” Por fqinji nuk ikën. Ai ka një këmbëngulje që të tërbon. Më në fund, bezdisja e tij prej zekthi e lodh personin që po flinte, dhe ai ngrihet dhe i jep pak bukë. Jezusi tregon një histori argëtuese rrugës për në Jerusalem.
Por kjo është gjithashtu një histori e dhimbshme, sepse shkon në kundërshtim me përvojën tonë të zakonshme njerëzore. Pa dyshim, ndonjëherë lutjet tona marrin përgjigje në mënyra të mrekullueshme. Por herë të tjera, lypim, kërkojmë dhe trokasim pa asnjë dobi. I sëmuri, për të cilin lutemi, nuk bëhet më mirë. Martesa e trazuar, për të cilën lutemi, shkon në divorc. Ajo që Jezusi po thotë këtu për lutjen duket sikur bie në kundërshtim me përvojën tonë.
E pranoj se vjen një kohë kur Perëndia e bën të qartë se kërkesat tona të lutjes nuk mund dhe nuk do të plotësohen. Por, derisa Perëndia të ma bëjë të qartë këtë, unë do të vazhdoj të lutem. Do të vazhdoj të lyp, të kërkoj dhe të trokas. “Ju që i kujtoni ZOTIT premtimet e tij, mos rrini në heshtje dhe mos e lini të pushojë, derisa ta ketë rivendosur Jerusalemin,” thotë Isaia (tek 62:6-7). Çfarë shprehje! Mos e lini Perëndinë të pushojë! Kjo, në fakt, është ajo që propozoj edhe unë të bëjmë. Nëse një gjumash gërnjar ngrihet dhe i përgjigjet trokitjes së derës në mesnatë vetëm që ta lënë të qetë, sa më i gatshëm do të jetë Perëndia t’ua hapë derën fëmijëve të tij dhe t’i plotësojë nevojat e tyre më të mëdha? —Lou Lotz

Lutje: O Zot, unë qëndroj tek porta dhe trokas.

Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *