Meditime – 5 Dhjetor

Lexoni nga Mateu 1:1-6

Hir gjithandej

. . . Boazit i lindi Obedi nga Ruthi. (v. 5)

Kemi qenë duke vërejtur përfshirjen që i ka bërë Mateu katër grave të huaja në pemën familjare të Jezusit dhe se si shumë prej tyre kanë pasur histori me elemente që askush nuk do t’i përmendte me krenari. Dje thamë se kjo ishte një kujtesë se përse bota jonë, madje edhe vetë familja e Jezusit, kishte nevojë për një Mesia që të vinte e të sillte shpëtim. E afërmja e Jezusit më pak e polemizuar në këtë listë është Ruthi, e veja besnike moabite e cila refuzoi ta braktiste Naomin, vjehrrën e saj, dhe kështu përfundoi duke u transferuar në Bethlehem, ku ra në dashuri me Boazin. Dhe së bashku ata kthehen në stërgjyshërit e mbretit David.

Por historia e Ruthit është gjithashtu edhe një histori hiri. Si një vejushë e huaj, Ruthi ishte aq e cenuar në botën e lashtë sa më s’bëhet. Emigrantët, vejushat dhe jetimët shfrytëzoheshin vazhdimisht, dhe në fakt një grua si Ruthi ishte e cenuar dhe e rrezikuar nga mizoritë, përdhunimi dhe shfrytëzimi. Pikërisht për këtë arsye ligji i Perëndisë për Izraelin siguronte gjithmonë një dispozitë ekstra për këta njerëz, duke përfshirë ligjin që u thoshte fermerëve të linin disa të korra pas në mënyrë që njerëzit e varfër, si Ruthi, të vinin e t’i mblidhnin.

Të shumtë ishin njerëzit në Izrael që i injoronin ligjet e Perëndisë. Por Boazi, nuk ishte i tillë. Me anë të hirit, ai bënte ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia dhe në këtë mënyrë shpëtoi jetën e Ruthit. Dhe ajo më pas u bë stër-stër-stër . . . gjyshja e Jezusit! Rrugët plot hir të Perëndisë gjithmonë rezultojnë në jetë, dhe jo në vdekje. Për këtë dëshmojnë Ruthi dhe gratë e tjera të renditura te Mateu 1. Pastaj, edhe ne mund të dëshmojmë për këtë! — Scott Hoezee

Lutje: Të themi faleminderit o Perëndi për dhuratën e pamerituar, të papritur dhe të mrekullueshme të hirit tënd. Amen.

Komente

komente