Meditime – 5 Korrik

Lexoni nga Marku 6:53-56

“Duke shfrytëzuar” Perëndinë

Dhe, duke rendur, përshkruan mbarë krahinën përreth, filluan të sjellin të sëmurë në vigje, kudo që dëgjonin se ishte ai. (v. 55)

Ne si njerëz, nga veta natyra jonë, jemi egoistë. Që prej kohës kur Adami dhe Eva hëngrën frytin e ndaluar, raca njerëzore ka qenë drejt një rruge për të kënaqur vetveten. Ne duam atë që na pëlqen dhe atë që na leverdis më shumë. Diçka të tillë shohim edhe tek vargjet e sotme nga Shkrimi. Njerëzit po rendin drejt Jezusit, dhe padyshim, kjo është diçka e mirë. Por ata po shkojnë tek ai për të “marrë” ndonjë gjë. Në shumicën e rasteve, ata duan të marrin shërimin. Por ata e kërkojnë Jezusin për arsye paksa egoiste.

Kjo nuk është diçka e keqe. Të krishterët besojnë tek fuqia e Perëndisë për të shëruar, prandaj edhe ne lutemi për ata që janë të sëmurë. A nuk thotë Jezusi: “Kërkoni dhe do t’ju jepet”? Me siguri Perëndia dëshiron që ne t’i kërkojmë ndihmë atij. Por jeta e krishterë është shumë më tepër se sa thjesht t’i kërkojmë gjëra Perëndisë. Nëse vetëm kërkojmë, duket më shumë sikur po e “shfrytëzojmë” Perëndinë sesa po e nderojmë atë. Askujt nuk i pëlqen ndjenja e të qenit “i shfrytëzuar”. Kur unë dhe bashkëshortja ime shërbyem si misionarë në Japoni, kishte raste kur ndihesha sikur disa prej japonezëve dëshironin të ishin “miqtë” e mi vetëm për të praktikuar anglishten. Kjo nuk ishte aspak një ndjesi e mirë.

Po ashtu edhe Perëndia dëshiron më shumë prej nesh, dhe jo thjesht që ta përdorim atë për gjërat që ne duam. Zemra e Perëndisë kënaqet me të vërtetë, atëherë kur vijmë tek ai duke i ofruar dashurinë, shërbimin dhe përkushtimin tonë më të madh.—John Koedyker

Lutje: Faleminderit, o Zot, që i dëgjon kërkesat tona. Na ndihmo që jo vetëm të kërkojmë por edhe të ofrojmë dashurinë, shërbimin dhe përkushtimin tonë. Amen.

http://fjaleteshpreses.org/wp-content/uploads/2018/07/MEDITIME_05_KORRIK_2018.mp3

Komente

komente