Meditime – 5 Shtator

Lexoni nga Psalmi 27

Qëndroni me mua tani 

Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë? (v. 1)

A lodheni së dëgjuari lajme të këqija? Kohët e fundit mësova për disa tragjedi, përfshirë këtu vdekjen e pakuptimtë të një babai dhe tre fëmijëve të vegjël, një çift që prisnin fëmijën e tyre të parë, foshnja e të cilit nuk do të mbijetonte dhe një adoleshente e cila kishte ikur nga shkolla dhe kishte disa javë që ishte zhdukur. Vdekja, sëmundja apo zhgënjimi dhe dëshpërimi prek jetët e të gjithëve në një pikë të caktuar dhe na bën të vëmë kujën: “Ku është Perëndia?”.

Poeti tek Psalmi 27 flet në vendin e shumëkujt prej nesh kur thotë: “O ZOT, dëgjo zërin tim kur të këlthas ty; ki mëshirë për mua dhe përgjigjmu” (v. 7). Ai i përgjërohet Perëndisë të mos ia kthejë shpinën dhe të mos e braktisë, por të hapë një rrugë shpëtimi dhe t’i japë udhëzime për jetën. Megjithatë, ai gjithashtu i kërkon Perëndisë thjesht të jetë i pranishëm. Duke qenë i sigurt dhe me vetëbesim ai shpall: “Zoti është drita ime dhe shpëtimi im; nga kush do të kem frikë?” (v. 1) Sprovat  janë më të pranueshme kur e dimë se Perëndia është në anën tonë.

Kur të fokusohemi tek mirësia e Perëndisë, të kalojmë kohë me të, të sodisim krijimin e tij dhe të kërkojmë seriozisht praninë e tij, kjo do të na lejojë të kemi një pikëpamje pozitive kur sulmohemi nga lajmet negative. Ai kurrë nuk do të na lërë dhe kurrë nuk do të na braktisë. “Prit me ngulm ZOTIN; ji i fortë, ki zemër, pra, prit me ngulm ZOTIN” (v. 14).—Denise Vredevoogd

Lutje: O Zot, drita jonë, shpëtimi ynë dhe fortesa jonë, na ndihmo të presim për ty me zemra të guximshme.


Komente

komente