Meditime – 6 Janar

Lexoni nga Gjoni 4:27-42

Provoni dhe shikoni

E dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës. (v. 42)

E keni provuar pastiçerinë e re që është hapur në qytet? Ata krijojnë ca ëmbëlsira tunduese. Radha e njerëzve që presin është e gjatë dhe rrallë mund të gjesh tavolina të lira. A e dini planin e tyre të marketingut? Ju. Po po, pikërisht ju. Megjithëse kanë përdorur një farë reklamimi modest, ata i kanë varur shpresat tek unë që do t’ua them juve, juve që do të shkoni ta provoni vetë dhe më pas ju që do u tregoni miqve tuaj.

Ndoshta këtë ide e kanë marrë nga Jezusi. Dashuria e Perëndisë e nxit Jezusin të arrijë Samarinë. Por si? Me shenja dhe mrekulli? Jo. Me dishepujt që predikojnë? Heshtje. Me anë të hirit të tij sovran, plani i Perëndisë përfshiu një grua, një njeri të refuzuar nga shoqëria, që provoi ujin e gjallë që Jezusi i dha. Dhe kjo grua, e mbushur me mahnitje, e lëshon shtambën e saj, shkon në qytet dhe u tregon njerëzve për atë që kishte gjetur: “Mos vallë ky është Krishti?”. Njerëzit shkojnë me vrap tek ai. Ai arrin atë person që askush nuk e priste të reagonte ndaj ungjillit dhe si rrjedhojë, një komunitet i tërë dëgjon ungjillin. Dhe lajmi merr dhen’ si një zjarr që përhapet në një arë me barë të thatë.

Hidhini një vështrim të mirë rrjedhës së ngatërruar të ngjarjeve në Shkrim. Lëvizja e mbretërisë pothuajse gjithmonë vjen nga fundi dhe ngjitet lart. Barinjtë e shtresës së ulët janë të parët që dëgjojnë për lindjen e Jezusit. Një zdrukthëtar në Nazaret rrit Mbretin e Mbretërve. Peshkatarë nga moçali i Galilesë udhëheqin një lëvizje mbarë botërore. Kudo ku ka lulëzuar krishtërimi, pothuajse gjithmonë ka zënë rrënjë në mesin e atyre që nuk të shkon fare mendja. Kur dishepujt “u mrekulluan që po fliste me një grua” (v. 27), Jezusi tregoi shembullin që ata do të ndiqnin në vazhdimësi. Jezusi ka një plan marketingu: ju. Kujt do t’i tregoni sot? —Jon Opgenorth

Lutje: Faleminderit Jezus që më përdor mua për të arritur të tjerët.


Komente

komente