Meditime – 6 Korrik

Lexoni nga Eksodi 2:16-25

Ora më e errët

Perëndisë iu kujtua . . . (v. 24).

Perëndia na kujton në vuajtjen tonë, madje edhe kur ndihemi të harruar. Unë e kam parë personalisht vuajtjen nëpër rrugicat që gjarpërojnë në zgjerimin urban të Kampalës, kryeqytetit të Ugandës. Gjatë një vizite atje, refugjatët sudanezë u grumbulluan për të adhuruar dhe kënduar Psalmin 137: “Si mund të këndonim këngët e ZOTIT në një vend të huaj?” (v. 4). Këta ishin njerëz të shpërngulur nga shtëpitë e tyre, të cilët po i klithnin Perëndisë. Kurrë më parë nuk e kisha dëgjuar atë psalm në adhurim. Por atë ditë, në atë vend, me ata njerëz, ato ishin fjalët e duhura për t’i vendosur para Perëndisë.  Shkrimi është plot e përplot me shembuj kur Perëndia e kujton popullin e tij. Noeu qëndroi me besnikëri në arkë, dhe Perëndia e kujtoi atë. Abrahamit iu premtua një pasardhës, dhe Perëndisë iu kujtua. Jozefi u braktis nga vëllezërit e tij, dhe Perëndia e kujtoi.

Moisiu u nda nga populli i tij dhe nga shtëpia e tij për 40 vjet, dhe Perëndia e kujtoi. Izraelitët jetuan 400 vjet në robëri. Ata rënkonin dhe vuanin dhe bërtitën: “Si mund të këndonim këngët e ZOTIT në një vend të huaj?”. Dhe Perëndia i kujtoi ata.  Perëndia ende kujtohet. Njerëzit e Sudanit nuk kanë shkuar në shtëpi, por ata nuk janë pa shpresë. Kurdoherë që lexojmë se “Perëndia u kujtua”, do të thotë se Perëndia do të merrte masa për interes të popullit të tij. A ndiheni të harruar apo të lënë në errësirë? Merrni zemër, sepse kudo që të jeni në jetë, Perëndia e dëgjon britmën tuaj. Vetë Jezusi tha: “Unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës” (Mat. 28:20). Perëndisë iu kujtua Izraeli dhe Perëndisë i kujtoheni edhe ju gjithashtu.—Jon Opgenorth

Lutje: O Zot, në mëshirën tënde, dëgjo lutjen time.

 

Komente

komente