Meditime – 6 Shkurt

Lexoni nga Gjoni 4:1-26
Kur të prekin në plagë
Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. (v. 7)

Në kohët biblike, ishte zakon që gratë shkonin për të mbushur ujë në grupe nga fshati deri tek pusi. Por kjo grua vjen vetëm, dhe nga bashkëbisedimi që zhvillohet gjejmë shpjegimin e mundshëm të pse-së. Ajo ka një nam të pahijshëm. Siç mësojmë, jeta e saj ka qenë një seri e gjatë me marrëdhënie të prishura. Nga njëri burrë te tjetri, ajo ka pasur pesë bashkëshortë dhe tani bashkëjeton me njërin që nuk është bashkëshorti i saj. Gratë e tjera të fshatit nuk e pranojnë, dhe ajo është e izoluar. Ndoshta kjo është arsyeja që ajo vjen vetëm tek pusi i Jakobit?

Historia e kësaj gruaje, më shumë se sa skandaloze, është tragjike, mendoj unë. Ajo nuk i kishte përlarë burrat njëri pas tjetrit. Në fakt, ishte ajo që ishte përlarë nga një sistem shoqëror, që për një arsye apo një tjetër, e kishte kaluar atë nga njëri burrë tek tjetri, derisa më në fund ajo as nuk kishte më dinjitetin e një martese. Atëherë, kur Jezusi flet për burrat e saj, ndoshta ai nuk po nxjerr në dritë mëkatin e saj, më tepër sesa po i vë gishtin në plagë dhe po i tregon plagën.

Unë shkoj në kishë për shumë arsye, por një nga arsyet është që dëshiroj të dëgjoj një fjalë që do të më tregojë plagën time, një fjalë që do të sjellë shërim pikërisht aty ku më dhemb. Dhe prandaj unë vij tek pusi, ndonjëherë duke u ndjerë i vetmuar edhe në mes të turmës, duke shpresuar të takoj Jezusin, duke pasur mall për një gllënjkë nga ai ujë i gjallë, për të cilin shpirti im i djegur pëshpërit: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem etje” (v. 15). Dhe ai nuk zhgënjen kurrë. — Lou Lotz

Ndërsa luteni, kërkojini Perëndisë t’ju shërojë aty ku jeni plagosur.

Komente

komente