Meditime – 7 Janar

Lexoni nga Psalmi 73:21-28

Kush jemi ne, kur trupat tanë ligështohen?

Mishi im dhe zemra ime mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi. (v. 26)

Trupat tanë kanë rëndësi. Kur ata funksionojnë ashtu siç pritet, shumë prej nesh nuk u kushtojnë shumë vëmendje. Ndoshta mendojmë për trupat tanë kur jemi përpara pasqyrës, duke u veshur ose kur shohim ndonjë fotografi jo shumë të hijshme të vetes sonë dhe mendojmë se duhet të heqim disa kilogramë. Por kur diçka ndryshon, për shkak të sëmundjes apo dëmtimit, ne detyrohemi të shqyrtojmë rëndësinë që kanë trupat tanë.

Udhëtimi im në këtë temë filloi me një mpiksje gjaku në këmbën time të djathtë. Pas gjashtë muajsh, u shfaq edhe një tjetër në këmbën e majtë. Gjithashtu, edhe funksionimi i veshkave po përkeqësohej me shpejtësi. Pasi kisha bërë një vizitë, doktori më merr në telefon një të premte pasdite: “Shko menjëherë në spital. Bëj një analizë gjaku dhe një grafi të plotë të trupit! Dyshoj se ke kancer”. U deshën disa ditë që unë të konfirmoja se vuaja nga mieloma e shumëfishtë, i cili është një kancer i pashërueshëm por i trajtueshëm i palcës që ndikon në qelizat e gjakut.

Kur uji distilohet dhe pastrohet, elementët ndotës hiqen prej tij. A do të ishte kjo diagnozë një pastrim për mua? Çfarë do të mbetej ndërkohë që trupi im, tek i cili isha varur gjithë jetën time, papritur do të fillonte të ligështohej? Pavarësisht nga vuajtja që po përjetoni, qoftë fizike, emocionale apo mendore, ajo mund të jetë një mënyrë për të thelluar identitetin tuaj në sytë e Perëndisë, por procesi i rafinimit dhemb. Jeta nuk është një udhëtim i lehtë, por e dimë se në çfarëdo gjëje që na duhet të kalojmë, Perëndia do të na “kapë nga dora” dhe do të na udhëheqë.—Karen Bables

Lutje: O Zot, ji ti shkëmbi i zemrës sime!


Komente

komente