Meditime – 7 Korrik

Lexoni nga Marku 7:14-23

I papastër?

Nuk ka asgjë jashtë njeriut që, duke hyrë në të, mund ta ndotë atë; përkundrazi, janë ato gjëra, që dalin prej tij, që e ndotin. (v. 15)

Të qenit “i papastër” për një hebre, ishte diçka tejet serioze. Dikush që konsiderohej “i papastër” ishte “i ndotur” dhe kësisoj gjendej në një telash të rrezikshëm. Askush s’do të donte të ishte “i papastër”, sepse mund të çonte në ndëshkim ose vdekje. Prandaj, sipas sistemit të Dhjatës së Vjetër, njerëzit mundoheshin t’u shmangeshin lebrozëve apo prekjes së trupave të të vdekurve. Gjithashtu ata shmangnin disa “ushqime të papastra”, si mishin e derrit për shembull.

Kur erdhi Jezusi, ai solli një perspektivë krejt të re në lidhje me domethënien e të qenit i pastër, apo i drejtë, në sytë e Zotit. Për Jezusin, “papastërtia” ka të bëjë me zemrën. Sigurisht këtë mësim e gjejmë edhe në Dhjatën e Vjetër. Pasazhe të tilla si Fjalët e Urta 4:23 dhe Psalmi 51:10 tregojnë se sa e rëndësishme është që të ruajmë zemrën tonë (burimin e jetës) dhe t’i kërkojmë Perëndisë që të krijojë një zemër të pastër te ne. Për fat të keq, këto të vërteta të mëdha frymërore që kanë të bëjnë me zemrën u pushtuan nga një sistem i vjetruar legalist.

Sa i vërtetë duhet të tingëllojë për ne mësimi që marrim nga fjalët e Jezusit në vargun e sotëm. Madje edhe profeti Jeremia në Dhjatën e Vjetër thotë: “Zemra është gënjeshtare mbi çdo gjë dhe e ligur keq” (17:9). Ky është problemi rrënjësor që të gjithë ne kemi. Por Perëndia e ka një zgjidhje: “gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat” (1 Gjoni 1:7).—John Koedyker

Lutje: Faleminderit Zoti Jezus, që kur i rrëfejmë mëkatet tona, ti je besnik dhe i drejtë dhe do të na i falësh mëkatet dhe do të na pastrosh nga çdo paudhësi. Amen.

http://fjaleteshpreses.org/wp-content/uploads/2018/07/MEDITIME_07_KORRIK_2018.mp3

Komente

komente