Meditime – 7 Prill

Lexoni Luka 15:1-7

Të humbur dhe të gjetur

Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time të humbur. (v. 6)

Kam një kujtim të turbullt e të zbehtë që njëherë humba kur isha i vogël. Kujtimi është i brishtë dhe i pakët, por jam shumë i sigurt që nuk po e imagjinoj sepse ka ndodhur me të vërtetë. Isha në një dyqan dhe aty kishte banakë shumë të lartë saqë unë nuk mund të shihja dhe nuk po gjeja dot nënën time. Kisha humbur. Më kishte pushtuar ajo ndjenjë e shpifur dhe e tmerruar që vetëm ata që kanë humbur mund ta kuptojnë. Por pastaj, dëgjova një zë, “ja ku qenke!”. Nëna ime më rrëmbeu në krahët e saj, dhe unë u gjeta. U ndjeva kaq shumë i çliruar, ndërsa zemra më dhembte njëfarësoj nga lumturia. Ndoshta prandaj më ka tërhequr gjithmonë Luka 15, që është një seri historish humbjesh dhe gjetjesh: delja e humbur, monedha e humbur dhe biri i humbur.

Rrugës për në Jerusalem, turmat e tagrambledhësve dhe mëkatarëve mblidheshin rreth Jezusit dhe kapeshin fort pas fjalëve të tij. Asnjë predikues nuk ka pasur ndonjëherë publik më të vëmendshëm. Këta ishin njerëz të humbur, të paktën në sytë e institucionit fetar. Ata ishin delet e humbura, monedhat e humbura, bijtë dhe bijat e humbur. Nuk është çudi që kapeshin fort pas fjalëve të Jezusit. Kur dikush është i humbur dhe dëgjon dikë tjetër që flet se si mund të gjendet, atëherë ai dëgjon me shumë kujdes.
Siç pritej, farisenjtë murmurisin për faktin se Jezusi po kalon kohë me mëkatarët, që konsideroheshin si shtresë më e ulët. Por, në qiell ka gëzim, edhe nëse gjendet vetëm një mëkatar i humbur, dhe unë imagjinoj një zë engjëlli që është duke thënë: “Ja ku qenke!”. —Lou Lotz

Lutje: Më përdor o Zot të jem ndihmë për të gjetur ata që janë të humbur.

Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *