Meditime – 7 Shkurt

Lexoni nga Filipianëve 4:10-13

Ia dola!

Unë mund të bëj gjithçka me anë të Krishtit që më fuqizon. (v. 13)

Kur je dy vjeç, çdo arritje e vogël është gjë e madhe. Nipi im krenohet shumë me veten e tij kur bën diçka për herë të parë. Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për të hipur në karrigen e vet të makinës apo për të ngjitur një palë shkallë. Pasi ta ketë përmbushur detyrën, fytyra e tij çelet nga një buzëqeshje e madhe dhe me zërin e tij prej dy vjeçari ai thërret: “Ia dola!”.

Apostulli Pal pati shumë raste ku thirri “Ia dola”. Ai po shkruante nga burgu që të inkurajonte dhe falënderonte njerëzit nga kisha në Filipi për dhuratat që i kishin dërguar. Ai vazhdoi më tej për të shpjeguar se përse ishte kaq i gëzuar, pavarësisht faktit që ishte në burg. Ai kishte vuajtur shumë për hir të Krishtit. Kishte qenë në burg, kishte kaluar nëpër anijembytje dhe kishte vuajtur urie. Pavarësisht të gjitha rrethanave të tmerrshme që ai përjetoi, Pali mund të shpallte me gojën e tij “Ia dola!”. Jezu Krishti ishte bashkë me të dhe e ndihmoi të kapërcente vështirësitë me të cilat u përball. Krishti i dha forcë për gjithçka që hasi.

Nipi im ishte shumë krenar për ato që arriti, dhe ashtu si Pali, edhe ne mund të mburremi në Zotin që nuk i lejoi rrethanat e jetës të na gjunjëzojnë. Jemi në gjendje të përballemi me një aftësi të kufizuar, sëmundje, vdekje apo çdo lloj pengese për shkak se Krishtin e kemi në krahë duke na ndihmuar. Pasi ai të na ketë ndihmuar ta kapërcejmë situatën, mund të shohim pas dhe të themi: “Ia dola, me ndihmën e Krishtit!”.—Steve Laman

Lutje: Faleminderit o Zot që je me ne, pavarësisht se çfarë vjen në jetët tona.

Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *