Meditime – 7 Shtator

Lexoni nga Danieli 10:1-19

Guxoni të jeni si Danieli

O njeri që të duan shumë, mos ki frikë, paqja është me ty; mblidh forcat e tua. (v. 19)

Një çantë ushtarake qëndronte jashtë tek dera kryesore. Kjo nënkuptonte vetëm një gjë: së shpejti djali ynë do të kthehej në shtëpi nga Afganistani! E megjithatë, në çast mendova, Por ai do të jetë atje edhe për më shumë se një muaj. U gëlltita fort ndërkohë që mu kujtua vdekja e rreshterit të tij kohët e fundit. Djali ynë mund të kthehej shumë shpejt në shtëpi, por për momentin ai vazhdonte të ishte në rrezik. Për familjarët e atyre që shërbejnë në ushtri, frika dhe shqetësimi janë bashkudhëtarë të zakonshëm (në mos të përhershëm).  Nga leximi i sotëm, shohim Danielin që mundohet nga frika dhe shqetësimi. Ky hero i besimit që u përball me luanët e uritur e pranon me gatishmëri: “Imzot, për këtë vegim më kanë zënë spazmat dhe fuqitë m’u ligështuan . . . fuqitë më kanë lënë dhe madje më mungon edhe frymëmarrja” (v. 16-17).

Njeriu që u dërgua për t’i shërbyer Danielit e kujton se atë e duan shumë dhe e nxit të mos ketë frikë. Kundërhelmi për ankthin dhe shqetësimin tonë është siguria e dashurisë së Perëndisë. Paqja e tij e ripërtërin forcën dhe kurajën tonë. Vegimet e frikshme të së ardhmes dhe stuhitë vorbulluese në jetët tona shpesh na bëjnë të ndihemi të pashpresë dhe të padobishëm, ashtu siç ndihem unë kur përfytyroj djalin tim në territorin e armikut. Ndonjëherë ndihemi të dobët dhe na merret fryma, si Danieli; por në mesin e një deti të furishëm, Jezusi thotë: “Pusho! Fashitu!” (Marku 4:39). Le të ndjekim shembullin e Danielit, të ulim fytyrat tona dhe të pranojmë paqen e Perëndisë për të vazhduar përpara me kurajën që vetëm ai mund ta japë.—Denise Vredevoogd

Lutje: O Perëndi, ne shohim drejt teje për paqe, forcë dhe kurajë kur frika kërkon të na pushtojë.


Komente

komente