Meditime – 7 Tetor

Lexoni nga Jobi 38:1-7

Ku ishe?

Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? (v. 4)

Kohët e fundit, një shkollë publike në qytet pati një incident me bullizmin. Shkolla, e cila dëshironte ta shmangte këtë debat, kërkoi të bazohej tek një politikë e bordit e cila, sipas saj, e justifikonte vendimin që kishte marrë për ta anashkaluar incidentin në fjalë. Megjithatë, personi që kishte shkruar politikat e shkollës ishte e ëma e nxënësit që ishte viktimë e bullizmit! Me të drejtë, ajo e kundërshtoi shkollën me interpretimin që i kishte bërë politikave të shkollës të cilat ajo vetë i kishte krijuar.

Libri i Jobit na e paraqet Jobin si një njeri të drejtë. Megjithatë, një nga temat kryesore të librit është që tragjedia mund të bjer mbi të pabesin dhe mbi të drejtin. Pas një serie ngjarjesh fatkeqe, familja, financat dhe shëndeti i Jobit rrënohen. Miqtë e tij nuk ia bëjnë më të lehtë. Ata e mbushin Jobin me këshilla të këqija dhe me një teologji edhe më të keqe. Megjithatë, në kapitullin 38, Perëndia zbret në skenë dhe i parashtron Jobit një sërë pyetjesh, duke e sfiduar kapacitetin e tij për të vlerësuar planin e Perëndisë. Nëse nuk ishe këtu, i thotë Perëndia, kur unë krijova qiejt dhe tokën, atëherë me siguri nuk je në pozitën që të vësh në pikëpyetje rrugët e mia.

Perëndia nuk e ka problem kur ne përpiqemi sinqerisht për të kuptuar planet e tij. Ai e di që, nga një pozitë e favorshme njerëzore, harku i gjatë i historisë mund të shfaqet paksa enigmatik. Ndonjëherë duket sikur armiqtë e Perëndisë janë duke fituar, ndërkohë që shërbëtorët besnikë përballen me sprovat njëra pas tjetrës. Në këto momente dëshpërimi, është e dobishme të mbajmë mend, ashtu siç na kujton Isaia (Isa. 55:8-9), që rrugët e Perëndisë nuk janë rrugët tona.—DuaneLoynes

Lutje: O Krijuesi ynë, le të bëhet vullneti yt në tokë ashtu si në qiell.

Komente

komente