Meditime – 8 Gusht

Lexoni nga Gjoni 12:1-7

Përkushtim i shpallur

Lërë! Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim. (v. 7)

Kur shëndeti i gjyshit tim po keqësohej me shpejtësi, gjyshja ime kërkoi një krevat spitali për tek dhoma e tyre e gjumit. Ajo nguli këmbë për ta mbajtur gjyshin në shtëpi. Dhe spitali e ndihmoi. Çdo natë, gjyshja ime shtrihej te krevati i gjyshit. Ndërkohë që moshatarët e tyre flinin në krevate të ndarë, ata dy ndanin një krevat bashkë. Nuk kishte pse të ndryshonte tani kjo gjë. Gjyshja nuk pranonte të hiqte dorë nga mundësia për të nderuar ende gjyshin, me dashuri dhe përkushtim të përzemërt. Ata ndanë së bashku 65 vjet të mbushura me vështirësi dhe gëzime. Dhe ajo derdhi gjithë dashurinë e saj, deri në pikën e fundit, mbi gjyshin tim.

Maria nga Betania bie tri herë te këmbët e Jezusit. Te Luka 10 ajo mëson tek këmbët e Jezusit. Te Gjoni 11, Maria dorëzohet tek këmbët e Jezusit kur vdes Llazari. Dhe këtu, Maria e nderon Jezusin duke i larë këmbët e tij me vaj. Ajo e ka kapur thelbin. Në fundjavë, trupi i Jezusit do t’i drejtohet varrit. Pa justifikim dhe pa u vonuar, ajo derdh mbi të përkushtimin dhe dashurinë e saj. Duke e njohur qëllimin e saj, Jezusi e mbron Marinë. Në mes të mosmiratimit e pakënaqësisë, si dhe nevojës së vazhdueshme të të varfërve, Jezusi vjen i pari. Dhe kur Jezusi vjen i pari, ai mjafton. Ai mjafton për të gjitha nevojat, të gjitha detyrat dhe të gjitha sprovat që do të pasojnë. Kur Jezusi sheh përkushtim, ai mbron.

Kujt apo cilit/cilës gjëje i jeni përkushtuar? Edhe pse kemi njerëz dhe kauza ndaj të cilave e kemi përkushtuar veten, a mund të themi se i përkushtohemi së pari Jezusit? Unë dëshiroj të jem si Maria dhe ta vendos veten tek këmbët e Jezusit, ndërkohë që ka ende dritë, ndërkohë që e sotmja s’ka mbaruar akoma.—Michelle Christy

Lutje: O Jezus, le të jetë dëshira jonë përkushtim ndaj teje me gjithë zemër.


Komente

komente