Meditime – 8 Janar

Lexoni nga Jeremia 29:1-14

Ku të jeni ju është edhe shtëpia juaj

Ndërtoni shtëpi dhe banoni në to. (v. 5)

Robërit izraelitë që ishin në Babiloni donin dëshpërimisht t’i besonin profetit të rremë Hananiahu kur ai parashikoi kthimin e tyre në Jerusalem brenda dy viteve (Jer. 28:11). Ata jetonin me shpresën e rreme të një zgjidhjeje të shpejtë ndaj fatkeqësisë që u kishte ndodhur dhe kështu, e ndalën jetën e tyre. Pse të investojmë në këtë lagje nëse do të zhvendosemi përsëri pas dy vitesh?
Ndonjëherë, të njëjtin model e shoh edhe mes të krishterëve, të cilët e mendojnë mbretërinë e Perëndisë kryesisht si një ekzistencë të mjegullt të së ardhmes në një parajsë që ata e imagjinojnë se është mbi disa re. Pse të lodhemi kot të ndreqim tokën dhe të ndërtojmë komunitete kur së shpejti Perëndia do të sjellë një tokë të re dhe një qiell të ri? Është një thënie që i shkon këtij mentaliteti: “Disa njerëz janë aq të fiksuar me qiellin saqë nuk bëjnë fare për tokën”. Jezusi na mësoi të lutemi: “Ardhtë mbretëria jote . . . në tokë si në qiell” (Mateu 6:10). Mbretëria që Krishti përuroi me ardhjen e tij të parë do të jetë e plotë kur ai të vijë sërish. Mbretëria e tij është edhe “tani” edhe “ende jo”. Jeta jonë e përjetshme fillon kur ne pranojmë Krishtin dhe arrin pikën kulmore në lavdi të përjetshme bashkë me të, por malli që kemi për këtë lavdi përfundimtare që po vjen, nuk duhet të na nxisë ndërkohë që të kemi jetë të dembelosura.
Ashtu si robërit në Babiloni, jemi thirrur të ndërtojmë shtëpi, të mbjellim kopshte dhe të investojmë në lagje. Bashkë me apostujt, ne jemi dërguar për të bërë dishepuj nga të gjitha kombet. Derisa të vdesim ose derisa Krishti të vijë përsëri, le të jemi duke kryer punët e Atit në botën e Atit tonë. Ndërkohë që fqinjët tanë përparojnë, edhe ne përparojmë (v. 7). Bëni shtëpinë aty ku jeni. — Jon Opgenorth

Ndërsa luteni, falënderojeni Perëndinë për lagjen tuaj.

Komente

komente