Meditime – 8 Korrik

Lexoni nga Marku 7:24-30

Shenja të një bote për Krishtin

Por ajo grua ishte greke, me prejardhje sirofenikase. (v. 26)

Ne si njerëz kemi tendencën të pëlqejmë personat që janë si ne. Dhe nga ana tjetër, qëndrojmë të distancuar nga ata që janë ndryshe nga ne. Por Jezusi po prezantonte një ungjill që i përfshinte të gjithë njerëzit, pra, hebrenjtë dhe grekët, meshkujt dhe femrat, si dhe skllevërit dhe të lirët.
Në atë kohë, ky nuk ishte një besim shumë i përhapur. Racat dhe grupet e ndryshme etnike në përgjithësi rrinin të veçuara, brenda komuniteteve të tyre. Megjithatë, në vargjet e sotme shohim se Jezusi largohet nga toka e Izraelit dhe shkel në dhè të huaj. A do të thotë kjo se Jezusi po fillonte të shkonte për të arritur fenikasit dhe grekët? Nëse po, atëherë Jezusi po përmbushte premtimin e lashtë që Perëndia i kishte bërë Abrahamit, se prej tij, do të bekoheshin të gjitha kombet e botës.

Vërtet Jezusi po prezantonte një ungjill për të gjithë popujt, por, ekziston një rend sipas të cilit do të prezantohej ungjilli. Jezusi fillimisht shkoi te hebrenjtë, dhe më pas te johebrenjtë. Të njëjtën gjë lexojmë nga Pali te Romakëve 1:16. Po kështu, kjo nënkuptohet nga Jezusi në komentin që ai i bën gruas greke që kërkon shërim për vajzën e saj: “Lëri më parë fëmijët të ngopen” (v. 27). Por, aq i kënaqur ishte Jezusi me reagimin dhe besimin këmbëngulës të gruas, saqë e shëron vajzën e vogël. Është e qartë se Jezusi mezi priste t’i përgjigjej gruas. Për të nuk kishte rëndësi etnia e saj. Ajo kishte besim! Dhe po kështu, nuk ka rëndësi se kush jeni dhe nga vini, Jezusi mezi pret t’ju përgjigjet edhe juve!—John Koedyker

Lutje: O Zot, faleminderit që na kërkon dhe kujdesesh për ne, pavarësisht se kush jemi. Amen.


Komente

komente