Meditime – 8 Maj

Lexoni nga Marku 1:9-11

Duke kujtuar etërit tanë dhe nënat tona frymërorë

Dhe një zë erdhi nga qiejt: “Ti je Biri im i dashur”. (v. 11)

Si na fton Jezusi ta përmbushim urdhërimin e pestë: “Ndero atin tënd dhe nënën tënde” (Eks. 20:12)? Kur Fryma zbriti mbi Jezusin gjatë pagëzimit të tij, kur zëri nga qielli shpalli: “Ti je Biri im i dashur”, Perëndia ishte duke e bërë dashurinë e trinisë të dukshme për ne. Dhe ndërkohë që tërhiqemi nga kjo dashuri, Perëndia është duke ngritur një familje të re. Jezusi u bë vëllai ynë në mënyrë që ne të mund të bëheshim bijtë dhe bijat e Perëndisë. Por ndryshe nga familjet biologjike, të lidhura me anë të gjakut dhe kodit gjenetik, kjo familje është e bashkuar me anë të gjakut të Jezusit, ujërave të pagëzimit dhe zjarrit të Frymës. Dhe, në këtë familje të re, nuk na janë dhënë vetëm vëllezër të rinj dhe motra të reja, por edhe etër të rinj dhe nëna të reja frymërorë gjithashtu.

Për shkak se Fryma na lidh së bashku si një familje të re, atëherë ne kemi shumë etër dhe nëna në besim. A mund t’i hidhni sytë pas në jetën tuaj dhe të tregoni me emër etërit tuaj dhe nënat tuaja frymërorë të cilët ju kanë rritur në besim? Mund të jetë dikush që ju ka drejtuar tek besimi tek Krishti, ose dikush që ju ka mësuar në shkollën e së dielës kur keni qenë fëmijë, ose mund të jetë dikush që është ulur dhe është lutur me ju gjatë një periudhe të vështirë, ose madje mund të ketë qenë edhe dikush që ju ka sfiduar dhe ju ka ballafaquar me diçka. Nëse ekziston një person i tillë në jetën tuaj, a e keni falënderuar ndonjëherë? Sikur të mos bëni asgjë tjetër, falënderoni Perëndinë për dëshminë e tyre, dhe duke bërë kështu mund të nderoni etërit tuaj dhe nënat tuaja frymërorë.—Steven Rodriguez

Lutje: O Perëndi, më ndihmo të nderoj familjen time frymërore.


Komente

komente