Meditime – 8 Tetor

Lexoni nga 1 Mbretërve 19:1-18

Ç’bën këtu?

Ç’bën këtu Elia? (v. 9, 13)

Kur mbarova gjimnazin dhe fillova universitetin, sikur kisha kapur qiellin me dorë. Kisha një bursë të plotë studimi, miq pafund dhe pas diplomimit më priste një punë me rrogë të mirë. Tri vjet më vonë, jeta ime ishte në rrënoja. E kisha humbur bursën e studimit, shumë prej miqve të mi ishin larguar dhe e ardhmja dukej depresionuese. Më kujtohet që kaloja me orë të tëra duke ecur në lagjen time dhe duke pyetur veten se si gjithçka kishte marrë të tatëpjetën. Si kisha përfunduar në këtë pikë kaq të ulët?
Te 1 Mbretërve 19, Elia haset me probleme. Jezebeli e ka kërcënuar Elian me jetë, dhe aq i mjerë është ai saqë arratiset në shkretëtirë nga frika e saj dhe ulet poshtë një peme duke i uruar vetes së tij vdekjen. Perëndia siguron me mrekulli për Elian, mjaftueshëm për ta forcuar që të bëjë një rrugëtim 40 ditor drejt malit Horeb, dhe aty, në një shpellë, Perëndia pyet: “Ç’bën këtu Elia?”.

Ndonjëherë Perëndia vjen dhe na sfidon në lidhje me gjendjen tonë aktuale. Në një botë që thotë: “Mirë je ashtu siç je, nuk ka nevojë të ndryshosh”, mesazhi i kryqit vazhdon të jetë historia e një Perëndie që fal, i cili na do aq shumë sa nuk na lë dot ashtu siç jemi. Jeta e një dishepulli të krishterë është një udhëtim emocionues për t’u përshtatur me imazhin e Krishtit. Në fund, ne mund të përfundojmë në një vend që nuk e prisnim. Por, kudo ku jemi, e dimë që do të jemi si ai.—DuaneLoynes

Lutje: O Frymë e Perëndisë, faleminderit që na formon për t’u dukur si Jezusi.

Komente

komente