Meditime – 9 Janar

Lexoni nga Psalmi 84
Një pronë madhështore
Oh, sa të dashura janë banesat e tua! (v. 1)

Unë kam vizituar shumë shtëpi të bukura, por asnjëra nuk krahasohet me shtëpinë e Pal Barakës, në periferi të qytetit të Namusaalës në Ugandë. Shtëpia e tij ishte shumë modeste, me një sallon dhe disa dhoma të vogla. Skuadra jonë hyri brenda dhe gjeti vend për t’u ulur në sallonin e vogël. Palin e kishin lënë fuqitë, prej plakjes, por mezi priste të na shërbente. Kjo nuk ishte një vizitë e zakonshme. Përpara se të largoheshim, ai zbriti nga divani në dysheme, ku u ul në gjunjë dhe mysafir pas mysafiri na lau këmbët me një leckë në dorë dhe me nga një bekim dhe uratë në gojën e tij. Çfarë nderi!
Kjo është tabloja që këndohet me fjalët e Psalmit 84 ndërkohë që vargjet reflektojnë privilegjin e madh të të qenit të mirëpritur në banesat e Perëndisë. A mund t’i imagjinoni pelegrinët e lodhur nga udha që i këndojnë këto vargje ndërsa i ngjiten malit të tempullit në Jerusalem dhe ndërsa kalojnë nëpër oborret e tempullit? “Oh, sa të dashura janë banesat e tua” (v. 1), “Lum ata që banojnë në Shtëpinë tënde” (v. 4). Edhe thjesht në pragun (v. 10) e shtëpisë së Perëndisë të jesh, është më mirë sesa çadra më e mirë që të ofron bota!
Për shkak të Krishtit, ne na është dhënë privilegji më i madh i të qenit të mirëpritur në banesat e Perëndisë (Heb. 4:14-16). Jezusi na mirëpret në shtëpinë e Atit të tij dhe na lan këmbët (Gjoni 13). Ne jemi të dashurit e Atit, të pastruar nga Biri dhe të mbushur me Frymën e tij. Pavarësisht nga shtëpia që kemi këtu në tokë, jemi gjithmonë të mirëpritur të banojmë me Atin tonë qiellor.—Jon Opgenorth

Ndërsa luteni, falënderojeni Jezusin që e ka hapur shtëpinë e Atit për ju.

Komente

komente