Meditime – 9 Prill

Lexoni nga Luka 19:28-34

Dishepujt e fshehtë

Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur. (v. 30)

Imagjinoni sikur t’ju thosha: “Shkoni në filan qytet, dhe aty, parkuar buzë rruge, do të gjeni një Mercedez Benz. Çelësat janë në makinë. Silleni makinën këtu tek unë dhe nëse pronarët ju pyesin se ç’po bëni, thjesht u thoni se unë kam nevojë për të”. A nuk do të bënit disa pyetje? E kujt është makina? A e dinë që do të shkoj unë? Nga do ta dinë që me ke dërguar ti? Por, dishepujt nisen për të kryer këtë porosi të çuditshme pa bërë asnjë pyetje.

I kujt është ky kërriçi? Cilët janë këta pronarë pa emra që janë të gatshëm të heqin dorë nga transporti i tyre për Jezusin? Jezusi kishte shumë ndjekës publikë. Por dyshojmë se ai kishte edhe dishepuj të fshehtë, pra, një rrjet besimtarësh, të cilët e donin dhe e mbështesnin atë fshehtas, pa shumë zhurmë. Këta ishin njerëz si puna e Jozefit nga Arimateja, “që ishte një dishepull i Jezusit, por fshehtas nga frika e judenjve” (Gjoni 19:38).

Ndonjëherë, rrugës për në Jerusalem, ne hasim njerëz, të cilët nga frika e persekutimit ose për arsye që janë më të komplikuara nga sa mund ta imagjinojmë, mendojnë që duhet ta fshehin besimin e tyre.
Lavdi Zotit për të krishterët publikë. Por jo të gjithë heronjtë e besimit janë të njohur për publikun. Disa prej tyre nuk guxojnë të valëvisin degë palme kur Jezusi u kalon pranë. Por përbrenda ata janë duke bërtitur: “Lavdi në vendet më të larta!”. —Lou Lotz

Lutje: O Zot, më ndihmo të jem dishepulli më i mirë që mund të jem.

Komente

komente

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *