Meditime – 9 Qershor

Lexoni nga Fjalët e Urta 14:26-30

Të mundim përbindëshin me sy jeshil

Një zemër e shëndoshë është jetë për trupin, por smira është kalbja e kockave. (v. 30)

Në veprën “Ferri” të Dantes, qepallat e atij që ka smirë janë të qepura. Nuk ka më vështrime të të mirave që kanë të tjerët. Smira shkaktoi vrasjen e parë. Ah sikur të kishte mbaruar smira me Kainin. Mësuesi i urtë i Predikuesit thotë: “Pashë, gjithashtu, që çdo mund dhe çdo sukses në punë ngjallin smirën e njërit kundër tjetrit. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën” (Pre. 4:4). Në mënyrë të ngjashme shkruan edhe Jakobi: “Sepse atje ku ka smirë dhe grindje, atje ka trazirë dhe gjithfarë veprash të këqija” (Jak. 3:16).

Një kurë e pjesshme për smirën është paanësia apo drejtësia. Fëmijët e vegjël që mërziten me motrat dhe vëllezërit e tyre bërtasin, “Nuk është e drejtë!”. Ideja e drejtësisë u vjen atyre më herët sesa njohja e smirës. Të varfrit, njerëzit pa përkrahje, të paarsimuarit dhe ata që nuk i duan gjithashtu klithin: “Nuk është e drejtë!” dhe nëse drejtësia mbart ndonjë kuptim, atëherë ata kanë të drejtë. Në fund të fundit, kjo ndjenjë në dukje e brendshme e drejtësisë vjen nga Perëndia.

Shkrimi gjithashtu na mëson se kur jemi xhelozë, ka një problem me besimin tonë. Sepse zakonisht nënkupton se nuk i besojmë më premtimit të Jezusit se vetëm ai është në gjendje të na përmbushë: “Unë jam buka e jetës; ai që vjen tek unë nuk do të ketë uri dhe ai që beson në mua, nuk do të ketë më kurrë etje” (Gjo. 6:35). A e dëgjuat? Kur unë jam xheloz ndaj një personi tjetër, problemi qëndron tek besimi im ngurrues. Besoni premtimin e Jezusit se ai do t’ju kënaqë plotësisht.—Chic Broersma

Lutje: O Zoti i krijimit, më lejo të gjej kënaqësinë time vetëm në ty.


Komente

komente