Lexoni nga: 1 e Kronikave 1:1-5, Veprat 20-27
Të gjesh Krishtin në Kronika
Adami, Sethi, Enoshi… (1 e Kronikave 1:1)
Të gjithë ne kemi libra dhe pasazhe të parapëlqyera në Bibël, por shumica e të krishterëve i shmangin disa pjesë të Biblës. Këtë muaj do të studiojmë dy libra që shumë prej nesh i shpërfillin. Pasi dola në pension nga shërbesa aktive si pastor, e kuptova që nuk kisha predikuar kurrë mbi librat e 1 dhe 2 e Kronikave. Apostulli Pal bëri këtë deklaratë: “Sepse nuk u tërhoqa prapa për të mos ju treguar gjithë këshillën e Perëndisë” (Veprat 20:27). Këtë do të zbulojmë ne – gjithë këshillën e Perëndisë – ndërsa zbulojmë Krishtin te Kronikat.
Disa i lexojnë Kronikat si një përsëritje e thjeshtë e librave pararendës të Samuelit dhe Mbretërve. Por në mënyrën judease të renditjes së librave të Dhiatës së Vjetës, Kronikat janë dy librat e fundit të Dhiatës së Vjetër. Kronikat janë si libri i Zbulesës në Dhiatën e Re. Shkrimtari i Kronikave e nis me krijimin dhe Adamin, pastaj kalon tek Abrahami, mbreti David, mbreti Salomon dhe pastaj e mbyll Dhiatën e Vjetër me një mbret të huaj i cili deklaron se tempulli i Izraelit mund të rindërtohet (2 e Kronikave 36:22-23). Fjala e Perëndisë për popullin e tij katër shekuj para lindjes së Krishtit është edhe fjala e Perëndisë për ne sot: Gjithmonë ka shpresë.
Gruas sime i pëlqen portreti artistik i një personi, ndërsa mua më pëlqen një foto realiste. Të dyja format janë të vërteta, por me hollësi të ndryshme. Po kështu, neve na duhen si librat e Samuelit dhe Mbretërve të Dhiatës së Vjetër, edhe të Kronikave. – Kent Fry
Ndërsa luteni, kërkoni të jeni të hapur ndaj gjithë këshillës së Perëndisë, që ta zbuloni Krishtin te Kronikat.