Lexoni nga 1 Timoteut 6:11-19
Perëndi i Plotfuqishëm
…i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve. (v. 15)
Drejtuesi i shërbesës “Fjalët e Shpresës” në Indi ia dha jetën Krishtit kur ishte një student i veterinarisë. Meqë babai i tij ishte një misionar budist në Indi, konvertimi i tij ishte gati po aq radikal sa dhe ai i apostullit Pal te Veprat e Apostujve 9. Sot ai drejton skuadrën e “Fjalëve të Shpresës” për të gjithë Azinë Jugore. Ai e nis çdo lutje me “Perëndi i Plotfuqishëm…” Ai thotë: “Për shkak se jetojmë në një botë me shumë perëndi dhe me pushtete të mëdha tokësore, është e rëndësishme që të përdorim terma superlativë jo vetëm për të siguruar veten, por edhe që t’i japim mundësi dëgjuesve të dinë se me kë po flasim.”
Vërtet Budizmi numëron 12 hyjni dhe Hinduizmi më shumë se 33 milion. Mund të duken më shumë se adhurimi pagan në ditët e Palit, apo në kulturën e Amerikës së Veriut, ku jetojnë shumë prej nesh. Por ka shumë perëndi të rremë që konkurrojnë për adhurimin tonë, përfshirë këtu edhe “pasurinë”, tek e cila e vendosin shpresën shumë njerëz (v.17). Në krahasim me këto, Zoti Jezus Krisht është “I Lumi dhe i vetmi Sundimtar” (v. 15) Vetëm Ai është i denjë për adhurimin tonë.
Deri në fund të Dhjatës së Re, titulli “Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve” do të bëhej pjesë e adhurimit të Kishës së hershme. Zbulesa 17:14 thotë: “Qengji do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve;” Kur ne ia japim jetën tonë “të Lumit dhe të vetmit Sundimtar” (1 Timoteut 6:15), ne marrim mëshirë të pamerituar, hir të pamasë dhe do të banojmë përgjithmonë me Të në lavdi. – Jon Opgenorth
Ndërsa luteni, ofrojani jetën tuaj Mbretit të mbretërve dhe Zotit të zotërve.
#10nentor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android