Lexoni nga 1 e Samuelit 25:32-44
Një korrigjim i marrë parasysh
E bekuar qoftë këshilla jote dhe e bekuar qofsh ti që më pengove sot të derdh gjak. (v. 33)
Si përgjigjeni ju kur dikush ju ofron një fjalë korrigjimi? Shpeshherë reagimi ynë i parë është që të debatojmë ose të mbrojmë vetveten nga ajo që e perceptojmë ndoshta si një sulm ndaj nesh. Mirëpo Fjalët e Urta 9:8 thotë: “Qorto të urtin dhe ai do të të dojë”. Shohim se ky ishte pikërisht lloji i reagimit që pati Davidi në këtë takim me Abigailin.
Davidi e dalloi menjëherë që Perëndia po i përdorte fjalët dhe veprimet e Abigailit për ta frenuar atë nga qëllimet e tij të dhunshme kundër Nabalit. “Po të mos ishe nxituar të më dilje përpara, në të gdhirë të ditës Nabalit nuk do t’i kishte mbetur asnjë njeri i gjallë” (v. 34). Davidi zgjodhi t’i vinte veshin këshillës së Abigailit dhe në vend që të merrte hak me duart e tij, ai lejoi Perëndinë të merrej me Nabalin. Dhe Perëndia u mor me të! Të nesërmen pasi i doli pija, Abigaili i tregoi Nabalit në lidhje me Davidin dhe njerëzit e tij dhe se sa afër shkatërrimit kishte qenë. Kur e dëgjoi këtë, zemra e tij u ligështua, dhe dhjetë ditë më vonë “ZOTI e goditi Nabalin dhe ai vdiq. (v. 38). Davidi e kuptoi se kjo ishte drejtësia e Perëndisë: “ZOTI bëri që të bjerë mbi kokën e tij ligësia e Nabalit” (v. 39).
Në fund, Abigali dhe Davidi u martuan, një fund ky shumë herë më i mirë nga ai që kishte planifikuar Davidi! Reagimi i Davidit ndaj korrigjimit të butë të Abigailit i solli atij paqe, dhe gjithashtu i solli atij një grua të perëndishme, plot hijeshi dhe me gjykim të shëndoshë. — Laura N. Sweet
Ndërsa luteni, i kërkoni Perëndisë urtësi dhe përulësi kur të keni nevojë për korrigjim.
#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android