woh-12-mars-web

12 Mars

Lexoni nga Mateu 25:14-30

Monedhat

Pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd në tokë. (v. 25)

Përse i shërbejmë Perëndisë? A është detyrë apo falënderim? A është dashuri? A është frikë? Apo pak nga të gjitha? Arsyeja që ne shërbejmë është e rrënjosur tek ajo që besojmë si të vërtetë në lidhje me karakterin e Perëndisë.

Jezusi tregoi një shëmbëlltyrë që kishte të bënte me tri skllevër. I zoti i tyre u kishte besuar pronën e tij ndërkohë që ndodhej larg. Secilit ju dha një shumë e ndryshme parash, por ama të gjitha ishin shuma të mëdha. Një “talent” ishte pak a shumë rroga e një dite pune e mbledhur për 15 vjet. Kur u kthye padroni, dy prej skllevërve e kishin dyfishuar shumën që ai u kishte besuar atyre. Ndërsa i treti i kishte fshehur paratë në tokë dhe nuk kishte bërë asgjë me to. Të dy skllevërit e parë u lavdëruan, kurse i fundit u qortua. Pse? Dy të parët ishin besnikë (v. 21, 23), kurse i fundit kishte frikë (v. 25). Dy skllevërit e parë nuk u lavdëruan për investimet e zgjuara, por për shkak se ishin treguar besnikë me atë që u qe dhënë. Skllavi i fundit kishte frikë nga i zoti. Ai nuk i humbi paratë, por strategjia e tij ishte e bazuar tek frika. Kjo frikë nuk e lejoi atë ta përdorte atë që i qe dhënë për hir të të zotit të vet.

Përse i shërbejmë Perëndisë? Nëse shërbejmë të shtyrë nga frika, atëherë gjithmonë do të jemi të frenuar dhe do të tundohemi t’i marrim dhuntitë e Perëndisë dhe t’i fshehim në tokë. Mirëpo nëse shërbimi ynë është i rrënjosur në besnikëri, atëherë i besojmë mirësisë së Perëndisë dhe përdorim gjithçka kemi dhe gjithçka jemi për lavdinë e tij. — Stephen Shaffer

Ndërsa luteni, i kërkoni Jezusit t’ju ndihmojë t’i shërbeni atij nga dashuria, jo nga frika.

Tags: No tags