Lexoni nga 1 e Kronikave 21:1-17; 2 e Korintasve 12:10
Një census i qëndrimit shpirtëror
Por Satani u ngrit kundër Izraelit dhe e nxiti Davidin të bënte regjistrimin e popullit të Izraelit. (1 e Kronikave 21:1)
Gjatë shumë punëve që kam ndryshuar në jetë, kam pasur vetëbesimin fillestar që mund t’ia dilja shumë mirë në një pozicion të ri, por ky vetëbesim pasohej nga një spirale frike se mund të mos isha i duhuri për atë post. Një pastor i urtë dikur më tha: “Kjo ndodh që të mbështetesh te Perëndia.”
Kur lexojmë pasazhin e sotëm në Bibël nga 1 e Kronikave 21, mbreti David bën regjistrimin e popullit që sjell gjykimin hyjnor mbi të gjithë kombin e Izraelit. Regjistrimi i popullit nuk është shkaku i këtij gjykimi hyjnor; në vende të tjera në Dhiatën e Vjetër, regjistrimi i popullit është bërë pa pakënaqësi hyjnore (Numrat 1:2). Megjithatë, në këtë rast, duket sikur problemi mund të ketë qenë qëndrimi i Davidit. Ai kishte qenë mbret fitimtar në luftë, duke zgjeruar kufijtë e Izraelit. Kryerja e regjistrimit të popullit është një tregues që Davidi po mbështetej te fuqia e tij dhe tek avantazhi numerik i Izraelit në vend që t’i besonte dhe të mbështetej te Perëndia.
Nuk bëjmë gabim kur bëjmë përllogaritje të së ardhmes sonë financiare, të shëndetit tonë apo të qëndrimit tonë shpirtëror. Problemi është kur përllogaritja na shtyn të mbështetemi te forcat tona dhe nuk arrijmë t’i besojmë Perëndisë në forcë dhe dobësi. Një kuptim kyç i kryqit është që kur Jezusi ishte më i dobët, atje ishte kulmi i fuqisë dhe forcës së Perëndisë. Siç i shkruajti apostulli Pal bashkësisë së hershme të krishterë në Korint: “kur jam i dobët, atëherë jam i fortë” (2 e Korintasve 12:10). – Kent Fry
Ndërsa luteni, përllogaritini dobësitë dhe fuqitë tuaja dhe lërini ato përpara kryqit të Jezusit!
#12tetor #fjalëteshpresës #meditime #app #ios #android