Lexoni nga Psalmi 90
Të kemi një zemër të urtë
“Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.” (v. 12)
Katër mijë javë. Kjo është sasia e kohës që një qenie njerëzore kalon mesatarisht në këtë tokë (rreth 80 vjet). Disa prej nesh do të kenë pak më shumë, të tjerë më pak. Nuk është e habitshme që ne përpiqemi kaq shumë që të përfitojmë sa më shumë nga koha e kufizuar që kemi.
Psalmi 90 është një lutje e shkruar nga Moisiu dhe ja se cili është vargu kyç. “Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.” (v. 12). Moisiu bën më shumë se sa t’i kërkojë Perëndisë që të na ndihmojë t’i shtojmë ditët e jetës tonë. Ai po na udhëzon që të pranojmë se jemi të vdekshëm dhe të ndryshojmë mënyrën se si e shohim kohën. Në vend që ta trajtojmë kohën si një send, apo diçka që duhet ta “menaxhojmë”, Moisiu na thërret që ta pranojmë çdo ditë si një dhuratë.
Fillimisht ora u shpik në një manastir, si një mënyrë për të thirrur murgjit për kohën e tyre të lutjes së bashku. Gjithashtu, ora i ndihmonte që të ishin më shumë në prani të Perëndisë dhe të njëri-tjetrit gjatë ditës së tyre. Sa ironike! Tani ora dhe telefoni ynë na bëjnë më të vetëdijshëm për kohën (dhe jo të vetëdijshëm për Perëndinë) dhe gjithnjë e më të shpërqendruar.
Provoni diçka sot. Bëjini gjërat një e nga një. (Gjithsesi, të qenit multifunksional është thjesht një mit). Në vend që të mendoni për atë që do të bëni më pas, jetojeni çdo çast. Merreni kohën si dhuratë. Dhe shihni sesi zemra juaj rritet në mençuri. – Brian Keepers
Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për dhuratën e sotme dhe kërkojini Atij që t’ju ndihmojë që ta jetoni çdo çast.
#zemerteurte#13gusht#fjalëteshpresës#meditime#app#ios#android