Lexoni nga 2 e Samuelit 12:1-14
Një akuzë tronditëse
Sepse ti e ke bërë këtë gjë fshehurazi, kurse unë do ta bëj përpara tërë Izraelit. (v. 12)
Kur i kishim fëmijët të vegjël, bashkëshorti im u mësonte atyre vargje nga Bibla duke i recituar së bashku në formën e një himni. Një nga vargjet e tyre të preferuara ishte Numrat 32:23: “Të jeni të sigurtë që mëkati juaj do t’ju gjejë”. Askush nuk ia hedh paq me asgjë – asnjëherë! Perëndia sheh dhe di gjithçka, dhe siç tha edhe Jezusi, “nuk ka asgjë . . . të fshehtë që nuk do të njihet” (Lk. 12:2).
Davidi dhe Bathsheba kishin marrë hapa për ta mbuluar mëkatin e tyre, dhe me kalimin e kohës, lindi edhe djali i tyre. Por me siguri disa njerëz e dinin sekretin, dhe mund të ketë pasur pëshpërima mes shërbëtorëve, ndërkohë që kishte të tjerë që mund ta tallnin mbretin e tyre “të drejtë”. Perëndia dërgoi profetin Nathan për ta ballafaquar Davidin me mëkatin e tij. Historia që Nathani tregoi rreth pasanikut që kishte shumë dele, i cili ia mori dhe ia vrau të vetmin qengj të vogël që një i varfër kishte për zemër, ishte tepër shqetësuese. Por sapo Davidi kërkoi vdekjen e këtij pasaniku, Nathani e akuzoi atë për po të njëjtin krim! Davidi kishte marrë bashkëshortin e Uriahut dhe pastaj kishte organizuar vdekjen e tij. Me mëkatin e tij ai ishte treguar mospërfillës ndaj Perëndisë së Izraelit, i cili e kishte bërë atë mbret.
Mëkati i Davidit dhe Bathshebës ishte ekstrem dhe i kishte sjellë poshtërim publik emrit të Perëndisë. Kundërpërgjigja e Perëndisë do t’u tregonte atyre, dhe Izraelit, se sa seriozisht e merrte ai këtë mosbindje. Nathani i tha Davidit se i biri i tij i pafajshëm do të vdiste. A do t’u tregonte Perëndia atyre mëshirë? A do të kishte hir apo falje për Davidin dhe Bathshebën? Po për djalin e tyre? — Laura N. Sweet
Ndërsa luteni, falënderoni Perëndinë për hirin dhe mëshirën që janë tonat në Krishtin Jezus.
#fjalëteshpresës #kishashqiptare #ungjillorëtshqiptare #meditime #app #ios #android